Nga Ndue Ukaj
Një pjesë të madhe të shoqërisë sonë, me gjasë, e ka goditë skleroza politike, dhe nuk e njeh realitetin përreth saj; ka harruar nga ka ardhë e ku është. Përndryshe, nuk ka se si të shpjegohet legjitimimi i diskursit antiamerikan e antiperëndimor, ngaqë dihet, kjo energji është vetëshkatërruese dhe antikombëtare.
Një popull me kujesë politike e kulturore, kurrë nuk joshet nga demagogët e populistët, që realisht janë fatkeqësia më e madhe e një vendi, për çka na flet me fakte pafund historia.
Dihet, dmagogët e populistët manipulojnë me pasionet e njerëzve, nuk janë të vërtetë dhe opinionet i shpallin me afsh, si të ishim dofarë dogmash religjioze.
Ata i bëjnë njerëzit të besojnë se do të vjen Mesia e do t’i shpëtojë.
Me një fjalë, këta janë dofarë ushujza që thithin gjjithçka që u del përpara në funksion të bymimit të tyre ideologjik. Dhe kanë aftësi ta dëbojnë të vërtetën e t’i drejtojnë masat drejt iluzioneve që u diktojnë, aq sa shpesh turma që i ndjek, dehet, sikur nga alkoholi. Por, për dallim nga dehja prej alkoholit, dehja ideologjilke nuk të lëshon lehtë, ndaj konsiderohet njëlloj virusi fort i dëmshëm shoqëror.
Kurse udhëheqësit e vërtetë, janë të sinqertë e të vërtetë, nuk i ngatërrojë parimet me perime, e kanë një vizion, nuk frymëzohen nga urrejtja, por nga dashuria. Ata janë të njerëzishëm, e shpesh dinë të pendohen e të thonë “po, për fajin tim” dhe i njohin limitet e tyre, prandaj e orientojnë popullin drejt qëllimeve të përbashkëta e solidare.
Demagogët kurrë nuk njohin faj, gjithmonë kanë armiq dhe kur nuk kanë, sajojnë, kurrë nuk thonë “për fajin tim”, sepse kacafyetjet e tymnajat politike, për ta janë mjedisi ideale.
Pra, demagogët, përveç se janë fatkeqësia më e madhe e një vendi e kombi, sepse ku sundojnë ata, thahet jeta e njerëzve, po ashtu ata prapa vetes lanë rrëmujë pafund.
Prandaj, entuziazmi i turmave kurrë nuk ka qenë e as nuk do të jetë i shëndetshëm për shoqërinë njerëzore dhe as për demokracinë.
Ky entuziazëm u shërben vetëm udhëheqësve egoistë e mendjekëqij, të cilët, me çdo kush duan të fitojnë, atë që Milan Kundera e quan pavdekësi ose ngarendja e tërbuar për të hyrë më çdo kusht në tempullin e famës. Dhe turmat përdoren vetëm për këtë qëllim, sepse ato hapin dyert për liderë të pjerdhur, bëhen shkallë për ta, i vendosin në buste, lart e më lartë në frone të larta, por, ndodh shpesh që të njëjtit t’ i pështyjnë e t’i gjuajnë me gurë. Këtë fakt e dëfton historia, prandaj mjerë kush nuk beson.