Emocione pas një shfaqjeje në Teatër
Një kompani e vjetër dhe e lavdishme tekstili është blerë nga të tjerë pronarë. Duket se nuk po përgatiten pushime nga puna, punëtorët dhe punonjësit mund të marrin frymë të lehtësuar. Por… Por ka një klauzolë të vogël në marrëveshje që pronësia e re, kërkon ta nënshkruajë këshilli i punës.
Të mbyllura në një dhomë për të diskutuar, njëmbëdhjetë gra do të duhet të vendosin nëse do të pranojnë uljen prej shtatë minutash të pushimit të tyre të drekës. Shtatë minuta duket si një kohë e shkurtër dhe zëdhënësja e këshillit të punës, është e vetmja që ka dyshime në fillim. Por pak nga pak debati nxehet dhe secila prej grave do të duhet të rishikojë publikisht jetën e saj përpara se të votojë.
“7 minuta”, shkruar nga Stefano Massini, përkthyer nga Aida Baro dhe vënë në skenë nga regjisorja e qytetit tonë, Driada Dervishi, na fton për të reflektuar mbi dinjitetin e punës, të drejtat e fituara dhe rëndësinë e moshumbjes së tyre.
Kurioziteti më shtyu të lexoj më shumë dhe “7 MINUTA”, është bazuar në një episod që ka ndodhur në të vërtetë në një fabrikë franceze. Është realizuar një film nga Mikele Plaçido dhe është vënë në skenën e teatrit italian.
Deri këtu, një tematikë interesante dhe bashkëkohore, shto edhe besimin në prekjen personale që Driada i jep çdo pjese, u nisa për në Teatër.
Kur ke lexuar më parë tekstin teatral, rri gjithë sy e veshë, si ai do të formësohet pak nga pak për t’u shfaqur e gjitha para teje.
Ato janë aty, të njëmbëdhjeta. Njëmbëdhjetë neonë ka edhe ndriçuesi që ju rri mbi krye ndërsa ato diskutojnë për vendimin që do të marrin. Janë të gjitha gra, po kjo s’ka lidhje me përkatësinë gjinore apo kërkimin e të drejtave të tyre. Ato 11 gra( profili i punës në fabrikën e tekstileve bëhet kusht përzgjedhës), përfaqësojnë të gjithë ata që punojnë për të siguruar jetesën dhe duhet të kenë të drejtat e tyre të ligjitimuara, të pashkelura.
Detajet kanë qenë gjithmonë pika e fortë e Dervishit: çdo herë që njëra prej punonjësve voton pro, ndizet një neon në ndriçues. Pauzat e shkurtra, ndalesa e punës e më pas bisedës, në pritje të zëdhënëses, krijon përshtypjen se punonjëset janë të tensionuara, disa prej tyre, plot dyshime.
Një tjetër pikë e fortë ishte edhe muzika e përzgjedhur. Përgëzime për kompozitorin Endri Sina. Një rrahje zemra e sjellë në muzikë krijon një panoramë të qartë veshur me pritje, ankth, dyshime dhe mbi të gjitha frikë për humbjen e vendit të punës që është burimi i vetëm i jetesës.
Kur lexova dialogët mes atyre njëmbëdhjetë grave, u informova për jetën e tyre, për arsyet që i shtynin të mos humbin vendin e punës por, kur ato u shfaqën në skenë me përparëset gri dhe me këpucët e bardha antifortunistike, provova emocion.
Veprimet e secilës prej tyre, të kontrolluara teknikisht i bënë ato protagoniste në skenë.
Aktoret, duke përdorur gjuhën e trupit të tyre, në situata të caktuara, arritën që të krijojnë intensitet emocional, duke e përcjellë këtë bukur te spektatori.
Në sallë ndodhi edhe diçka e veçantë: jemi mësuar me duartrokitjet në përfundim të shfaqjes, por kësaj here, publiku reagoi me një duartrokitje në skenë të hapur dhe kjo ndodhi kur aktorjaYllka Mujo (zëdhënësja) doli nga skena duke ju bërë të qartë të gjithë të tjerave se ajo nuk ka ndërmend të lejojë t’i nëpërkëmbin të drejtat e saj.
Zakonisht kjo lloj duartrokitjeje ndodh kur aktori është shumë i pëlqyer, ose kur po bën debutimin e parë në skenë. Padyshim që aktorja Yllka Mujo është një aktore e mrekullueshme dhe e pëlqyer nga publiku, por mendoj se i gjithë publiku duartrokiti për mesazhin e fuqishëm që sollën fjalët e saj.
Befas të gjitha ato gra në skenë m’u dukën të veshura me copa letrash të bardha, të një skenari të grisur e të bërë copë-copë. Ato lëviznin nëpër skenë të veshura me to, i jepnin jetë e kuptim, gjithçkaje që ishte shkruar në ato fletë të bardha formati, të kthyera vende- vende nga përdorimi që i ka bërë regjisorja.
Kushedi sa herë kanë përsëritur, kanë provuar e riprovuar batutën; kanë ngritur, ulur apo modeluar tonalitetin e zërit.
Ato janë të gjitha të ndryshme: ka mes tyre: një “bishë” me trupin plot tatuazhe, një nënë që merr kredi për librat e universitetit që i duhet të ndjekë vajza e saj, një vajzë e dashuruar që ëndërron të krijojë familje; një tjetër që mban brenda saj një krijesë që shpejt do të vijë në jetë e do të kërkojë kushte për të jetuar etj.
Një kujdes të veçantë regjisorja i ka është kushtuar idiolektit të tyre. Idiolekti është përdorimi i veçantë dhe unik i gjuhës nga ana e një individi, përfshirë të folurit. Ky përdorim unik përfshin fjalorin, gramatikën dhe shqiptimin.
Është mënyra e të folurit të tyre një tjetër detaj që i dallon ato.
Jo vetëm kaq, por ato iu përkasin edhe grupeve shoqërore të ndryshme. Disa vijnë nga fshati ku më parë milnin lopën dhe mblidhnin delet e disa nga qyteti i zhurmshëm ku e gjenin kohën për të pirë birrat e tyre pas pune.
Ketu marrin udhë të ndryshme edhe qëndrimet në përputhje me këndvështrimet e tyre për jetën.
Janë të ndryshme edhe në temperamentet dhe karakterin e tyre, ky i fundit i formuar nën ndikimin e kushteve ku ato jetojnë dhe punojnë. Njëra është më shpërthyese dhe kolerike, një tjetër më e matur dhe flegmatike, por tek e fundit, të gjitha janë të veshura me frikë dhe dyshim. Frikë që dalëngadalë në gjysmën e tyre kthehet në forcë. Forcë e guxim për të mbrojtur të pashkelura të drejtat e tyre.
Momenti final i votimit të tyre ku ato ndahen në pesë vota pro dhe pesë vota kundër merr vlera nga punonjësja e njëmbëdhjetë e cila nuk thotë as po, as jo. Ajo me një zë të vendosur thotë vetëm: “Po! E kam vendosur” Fiton e reja, dëshira për jetë, dëshira për të ëndërruar dhe jetuar. Fiton ajo që është legjitime dhe i takon gjithkujt.
Faleminderit Driada për emocionet e bukura. Unë e shumë miq të tjerë kemi pasur fatin të punojmë me ty ( jo për shfaqje skenike, të kuptohemi) dhe kemi kuptuar se sa mund, sa punë duhet për t’u ngjitur atje lart në skenë.
Përgëzime aktoreve të mrekullueshme që përcollën aq bukur mesazhet në publik; përgëzime përkthyeses Aida Baro; kompozitorit Endri Sina; koreografit Gjergj Prevazi, Skenografit Beqo Nanaj; kostumieres Ermela Marku dhe grimieres Adelina Gjojdeshi.
Ejani në Teatër! Ai i jep jetë asaj që është shkruar.
Ejani në Teatër, jo vetëm për komedi.
“7 MINUTA”, kjo dramë sociale me mesazhe tronditëse tregoi edhe njëherë fuqinë e fjalës së thënë në skenë.