Nga Klea Cërri
Vita bravis vjen nga latinishtja dhe do të thotë ‘jeta është e shkurtër’ dhe teksa lexojmë rreshtat e kësaj letre shpirtërisht shprehim se jeta është vërtetë e shkurtër, por na lindin pyetje të tipit ; a ia vlen ta shpenzojmë atë duke ndjekur udhët që na citojnë të tjerët?
Ky libër i mrekullueshëm na prezantohet nga shkrimtari norvegjes Jostein Gaarder, i cili pretendon se e ka gjetur këtë letër, drejtuar papës Agustin, brenda një kutie të blerë për pak monedha në tregun e gjërave të përdorura. Pas gjetjes së kësaj letre ai e përktheu dhe na e solli ta lexonim edhe letradashësit.
Floria Aemilia ishte e dashura e Aurel Agustinit në rini, që e dashuroi me gjithë shpirtin dhe i fali atij jetën e saj, në këmbim ai i rrëmbeu nderin, jetën dhe mundësinë për të qenë e lumtur në jetë të jetëve. Floria shprehet se e ndjente që ai e kishte dashur dikur, atëherë kur lumturisht putheshin kopshteve, por ishte e ëma e tij që i ndau duke e bindur të birin t’i futej udhës së shenjtë me qëllimin e vetëm për të qenë Papa i Shenjtë.
Ç’kënaqësi është ta lexosh atë letër!
Nëpërmjet saj kuptojmë sesi forca e dashurisë nuk shteron kurrë, por tjetërsohet, ndryshon dhe rilind në një formë tjetër të pangjashme me të parën, por po aq të fuqishme.
Ata patën një djalë së bashku. Adeodatus, i cili ishte një fryt i dashurisë ishte mohuar nga i ati, por i rrethuar me dashuri nga e ëma. Floria e mirë, na tregon në letrën e saj drejtuar Papës së Shenjtë, që ai nuk ishte aspak i tillë, por ishte prej mishi e kockash. Ishte i gabueshëm dhe i lig me të. Ai refuzoi familjen, kreu mëkate të mëdha e në fund u shpall shenjt. Ndërsa ajo një nënë e vetme që luftoi t’i bënte ballë jetës së vështirë që e priste e donte akoma, ashtu si një shenjtore.
Me anë të kësaj letre ajo kërkon prej tij të pranojë faktin që ai e kishte dashur, që ai e kishte kërkuar atë, që ai kishte menduar një jetë të re me të e mbi të gjitha ajo kërkonte që ai të njihte djalin e tyre, që ishte krejt i pafajshëm në këtë histori.
Më pëlqen shumë kjo letër, sepse tregon që shumica e shenjtëve as nuk i afroheshin shenjtërisë, sepse tregon që njeriu është i aftë të thyej shpirtra të tjerë për pushtet të çdo lloji që mund t’i ofrohet ndër duar.
Më pëlqen shumë sepse Floria e gjorë nuk kërkonte shpagim për veten e saj, as për të gjitha të zezat që i ndodhën. Ajo kërkonte të vihej në vend dashuria që ata të dy kishin jetuar më parë. Shumë kohë më parë. E vërtet, kishte kaluar shumë kohë, por duhej pranuar që ajo kishte qënë reale, i kishte prekur të dy dhe të dy ishin prekur. Ajo kërkonte të vërtetën.