Një tjetër sekret rreth ‘Mona Lisës’, zbulohet përbërësi i rrallë në pikturën e famshme

Një tjetër sekret rreth ‘Mona Lisës’, zbulohet përbërësi i rrallë në pikturën e famshme

Leonardo da Vinçi ishte një piktor, shpikës dhe anatomist, por me zbulimin e ri, kësaj liste mund t’i shtohet edhe profesioni i kimistit inovativ.

Rezulton se artisti ishte më eksperimental me “Mona Lizën” e tij të njohur sesa mendohej dhe mundet të jetë krijuesi i një teknike të parë në veprat e krijuara një shekull më vonë, sugjeron një studim i ri. Duke përdorur difraksionin me rreze X dhe spektroskopinë infra të kuqe, një ekip shkencëtarësh në Francë dhe Britani ka zbuluar një përbërje të rrallë minerale brenda pjesës ikonike. 

Sipas studimit të botuar së fundmi në Journal of the American Chemical Society, zbulimi ofron një pasqyrë të re se si u pikturua vepra nga fillimi i viteve 1500. Së bashku me pigmentin e bardhë të plumbit dhe vajin, përbërësi i njohur si plumbonacrite u gjet në shtresën bazë të bojës. 

Një studim i publikuar në vitin 2019 e kishte identifikuar mineralin në disa vepra të shekullit të 17- të nga Rembrandt, por studiuesit nuk e kishin hasur në vepra nga Rilindja Italiane.

Plumbonakriti formohet kur oksidet e plumbit bashkohen me vajin. Përzierja e këtyre dy substancave në një paletë është një teknikë që artistët e mëvonshëm si Rembrandt e përdorën për të ndihmuar në tharjen e bojës, sipas studimit. 

Zbulimi i përbërjes së rrallë në veprën “Mona Lisa” tregoi se Leonardo mund të kishte qenë pararendësi origjinal i kësaj qasjeje, tha Gilles Wallez, autor i studimit të fundit dhe profesor në Universitetin e Sorbonës në Paris, i cili gjithashtu ishte bashkautor në raportin e vitit 2019.

“Gjithçka që vjen nga Leonardo është shumë interesante, sepse ai ishte një artist, sigurisht, por ai ishte gjithashtu një kimist, një fizikant, ai kishte  shumë ide dhe ai ishte një eksperimentues… duke u përpjekur të përmirësonte njohuritë e kohës së tij”, tha Wallez.

“Sa herë që zbulon diçka në proceset e tij, zbulon se ai ishte qartësisht përpara kohës së tij”, tha ai, sipas CNN.

“Mona Lisa”, si shumë piktura të tjera të shekullit të 16-të, u krijua në një panel druri që kërkonte një shtresë të trashë bazë, tha Wallez. Studiuesit besojnë se Leonardo kishte bërë përzierjen e tij të pluhurit të oksidit të plumbit  me vaj liri për të prodhuar shtresën e trashë të bojës që nevojitej për shtresën e parë, duke krijuar pa e ditur përbërjen e rrallë.

Në ditët e sotme, studiuesit nuk lejohen të marrin mostra nga kryevepra, e cila ndodhet në Luvrin në Paris dhe është e mbrojtur pas xhamit, tha Wallez. 

Duke përdorur një mikrokampion të vitit 2007 që ishte marrë nga një zonë e veprës së artit menjëherë pas kornizës, megjithatë, shkencëtarët mundën të analizonin bojën duke përdorur një makinë të teknologjisë së lartë të quajtur sinkrotron. Përshpejtuesi i grimcave i lejoi ekipit të studionte përbërjen e grimcave në një nivel molekular.

“Këto mostra kanë një vlerë shumë të lartë kulturore,” tha Wallez. “Nuk mund të përballosh të marrësh mostra të mëdha në një pikturë, kështu që një sinkrotron është mënyra më e mirë për t’i analizuar ato.”

Sipas studimit, shtresa bazë e muralit të Leonardos “Darka e Fundit” kishte të njëjtin përbërje kimike si “Mona Lisa” edhe pse murali ishte pikturuar në një mur, sipas studimit.  Shkencëtarët kishin një gamë shumë më të gjerë të mostrave nga “Darka e Fundit” për t’u parë, 17 gjithsej, të cilat vinin nga boja që rridhte nga muri me kalimin e kohës, tha Wallez.

“Mona Lisa” dhe “Darka e Fundit” janë dy nga 20 pikturat e njohura që Leonardo ka bërë gjatë jetës së tij. Studiuesit shpresojnë se mund të zbulojnë më shumë rreth artistit dhe veprave të tij me kalimin e kohës.

“Ne e dimë prej kohësh se Leonardo ishte një eksperimentues i pandërprerë”, tha William Wallace, një profesor i shquar dhe drejtues i historisë së artit dhe arkitekturës në  Universitetin e Uashingtonit.