Foto me histori 66 vjeçare
Durrsakët gjithnjë kanë ditur të bëjnë muzikë
-Një kuartet i vitit 1958
… Katër të mëdhenj të muzikës durrsake. Mbeten mrekullia e instrumentit. Mbetën luajtësit magjikë të muzikës. Tingulli i tyre krijonte forcë, frymëzim, art, improvizim në përmasa befasuese që të hutonte, të trondiste në kënaqësinë e pafund të një arti që nuk vdes kurrë…
Nga BUJAR QESJA
Duke ngacmuar dhe bërë moto të jetës dhe punës time, histori të Durrësit, të njerëzve të tij të thjeshtë, por të mëdhenj në shpirt, në art, e në profesione të tjera, raportet e mia me njerëzit janë shtuar dukshëm. Foto që prezantoj, këtu e merr zanafillën. Dhe frymëzimi im, këtu e ndërton strehën, për të dalë pas kësaj të çfaqet në masë, në popull.
Indrit Maliqati, djali i inxhinjerit dhe intelektualit të njohur Ejup Maliqati, dhëndërri i familjes Tapija, i Petraqit dhe Gazmendës, bashkëshorti i Lydrës, më kalon një foto. Është pikërisht kjo që po shfaq. Dhe më tregon, se ia ka dërguar i nipi i Ismail Beshirit dhe ky me banim në Amerikë. Viti 1958. Dhe ky nip durrsaku, dinte që aty është Ismail Beshiri.
Por syri ynë i regjur, nuk mund të gabonte. Është një katërshe artistësh durrsakësh safi. Pamje origjinale, pa poza dhe shtirje. Është një pamje, veçse durrsakët e mi dijnë aq bukur, aq thjesht dhe aq me shpirt ta realizojnë. Janë mjeshtërat tanë. Janë ata që vazhduan artin e të parëve, për të na i lënë si dhuratën më të çmuar, ne një brezi më të tutjeshëm. Dhe e bëj të njohur ja kështu, për ta lënë si pasuri për secilin. Sepse vërtet është pasuri dhe shumë e madhe madje.
Ndodhemi në hotel “Vollga”. Thamë se është viti 1958. Po cilët janë ata që bënin hatanë me artin e tyre, me virtuozitetin e tyre, me interpretimin mahnitës deri në dehje, për ata që i shikonin? Nuk mund të mos humbisje dhe të të thithte arti i tyre i interpretimit. Sa mjeshtëri! Sa thellë kishin depërtuar në instrumentat, që bënin magji sa herë që tingulli krijohej prej tyre.
Janë Qendro Koçi, Bebeku i jashtëzakaonshëm, kur i madhi tjetër i baterisë Genc Cara, e thonte me mburrje që: ”jam nxënës i Bebekut”. Përdori i pari goditjen me shufra teli të holla. Hajde tingull hajde! Bateri quhej ajo e Bebekut? Në formë po, por në esencë ishte vegël elektrizuese, që të hiqte kapakun e kokës.
Po Il Beshiri, pjesë e fisit të famshëm të Beshirëve të Durrësit, tregtarë dhe njerëz të mëdhenj. Saksi dhe klarineta e tij, të kosiste ndjenjat, e të përvëlonte shpirtin dhe ta mbushte me muzikë, me art. Kalojmë tek kitaristi Vasil Lumi. “Vajzë durrsake sa të du….”. Kitare akustike, që dukej si mjeti më shpërthyes të asaj që quhen shijet tona.
Dhe plotëson kuartetin Petrit Myshketa, fizarmonika e të cilit prodhonte zjarr artistik, që të këpuste shpirtin. Katërshe e krijuar si me dorë. “Vollga” tërbohej prej interpretimit të tyre. Foto fikson momentin më shpërthyes, kur tingulli nuk qendronte i vetëm. Vollga me emër lumi, ngjasonte me lumin vërshues që krijonin katër instrumentistët e njohur durrsakë.
“Vollga” e Durrësit në kohë e vite të ndryshme, por gjithnjë të hershme ka patur gjithnjë shpërthime muzikore. Janë tingujt e artë, që krijojnë muzikantët e florinjtë të Durrësit, duke ia rritur famën qytetit përtej kufijve të tij. Në këtë “Vollgë” historike kanë bërë muzikë Enver Mara, Rexhep Zemblaku, Rifat Dedja, Bujar Vuçiturni, Genc Cara, e plot të tjerë. Muzika e durrsakëve të instrumentave, duke u bërë edhe pranë detit, krijonte melodinë e valëve në detin bunacë, ku shpirti i thithte tingujt deri në thellësi.
Që të katër nuk jetojnë. Qendro Koçi, Ismail Beshiri, Vasil Lumi dhe Petrit Myshketa. Ky i fundit, nga të mirnjohurit fis xhentëllmenësh të muzikës me Skënderin, Shpëtimin, Xhanin dhe tash së fundi, me tenorin në përmasat europiane Gëzimin.
E kanë ndalur frymëmarrjen, por kurrë, por asnjëherë fuqinë e tingullit dhe të muzikës së tyre, e cila i mban të gjallë dhe asnjëherë jo të tillë.
Katër të mëdhenj të muzikës durrsake. Mbeten mrekullia e instrumentit. Mbetën luajtësit magjikë të muzikës. Tingulli i tyre krijonte forcë, frymëzim, art, improvizim në përmasa befasuese që të hutonte, të trondiste në kënaqësinë e pafund të një arti që nuk vdes kurrë.
Petrit Myshketa, Vasil Lumi, Ismail Beshiri dhe Qendro Koçi gjithnjë me ne dhe pranë nesh. Ti kujtojmë kësisoj!
Bujar Qesja
Durrës: 15 prill 2024
Në pamje, nga e majta: Qendro Koçi (Bebeku)l, Ismail Beshiri, Vasil Lumi dhe Petrit Myshketa. Foto e vitit 1958.