Nga Kozma Borova
Në rastësi shumë e çuditshme për mbytjen e anijes Titanik në 15 prill 1912. Në vitin 1898, rreth 14 vjet para se të mbytej anija Titanik, një shkrimtar anglez, Morgan Andrew Robertson (1861–1915), shkroi nje liber ‘’Futililty’’ (Kotësi), ku e pershkroi ngjarjen gati njesoj sic ndodhi rreth 14 vjet më vonë, në prill 1912. Sipas librit të 1898, një anije me emrin ‘’Titan’’, afërsisht me të njëjtat përmasa e fuqi, u përplas me një ajsberg në udhëtimin e tij të parë, afërsisht në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë (në muajin prill, afër mesnatës) dhe pjesa më e madhe e 3000 pasagjerevë u mbytën se nuk kishte varka shpëtimi. Fiks (afërsisht) kështu ndodhi 14 vjet më vonë nga botimi i librit, u mbyt ‘’Titanik’’, ashtu siç ishte përshkruar në libër para 14 vjetësh mbytja e ‘’Titan’’. Këtu jane krahasimi i të dhënave të anijes Titan të librit të 1898 dhe e Titanikut real në 1912. (Kjo histori është shkruar edhe tek revista ”Shkenca dhe jeta” e vitit 1970)
Revista ‘’Shkenca dhe jeta’’ 5 shtator 1970.
Libri Robertsonit doli në dritë në vitin 1898. Përse bënte fjalë ky roman me titullin e çuditshëm –‘’Kotësi’’?
Fabula e këtij romani ishte kjo: në Angli ndërtuan një vapor të paparë ndonjëherë nga madhësia, për të bërë kalimin e Atllantikut. E quajtën vaporin: ‘’Titan’’. Vapori konsiderohej si i pambytshëm, ishte vapori më lluksoz dhe më i shpejti në botë. Të drejtën për të kaluar oqeanin me. anën e këtij vapori e pati milioneri Botës së Re dhe Botës së Vjetër. Një natë të ftohtë prilli ‘’Titani’’, me shpejtësinë e madhe që kishte, u ndesh me një aisberg dhe u mbyt. Barkat e shpëtimit në këtë vapor të mrekullueshëm nuk ishin të mjaftueshme, si rrjedhim, pjesa më e madhe e pasagjerëve, të cilët ishin rreth dy mijë veta, u mbytën. Një fabul e tillë kaq zymtë nuk i shkonte shijes artistike të anglezëve. Ishte kjo arësyeja, që pas pak kohe, romanin ‘’Kotësi’’ e harruan të gjithë.
Kaluan katërmbëdhjetë vjet nga dita e daljes në dritë të romanit, për të cilin folëm më lart. Dhe pa pritur, fabulën e këtij romani, e lexuan në faqen e parë të gazetës londineze Tajms. Deklarata qeveritare vinte në dukje: Në oqeanin Atllantik ndodhi një fatkeqësi e paparë ndonjë herë në analet e historisë së detrave. Anija ‘’Titanik’’ e kompanisë ‘’Uajt Star’’, në udhetimin e vet të parë në det, më 11 prill 1912, u përplas me një aisberg dhe u fundos. Në bazë të lajmeve të fundit ka shumë të dhëna të supozohet se nga të 2300 njerëzit që lundronin në të, kanë shpëtuar më pak se 700.
Kjo ngjarje tronditi gjithë Anglinë. Gjithshka që kishte imagjinuar dikur Robertsoni ishte shendruar në një të vërtetë të hidhur. Dhe, midis fabulës së romanit fantastik dhe ngjarjes së vërtetë, kishte një ngjajshmëri shumë të madhe, ngjajshmëri që përfshinte dhe hollësitë më të vogla. Emri i vaporit të romanit ishte ‘’Titan’’, ndërsa i vaporit të vërtetë ‘’Titanik’’. Madhësitë dhe karakteristikat e të dy vaporëve, pothuajse ishin të njëjta. Të dy vaporët kishin nga katër oxhaqe dhe nga tri elika. Gjatësia e Titanikut ishte 268 m… ndërsa gjatësia e Titanit- 260 metra. Edhe të dhëna të tjera ishin analoge: Sasia e ujit që zhvendoste vapori imagjinar ishte e barabartë me 70.000 ton, ndërsa i tjetrit 66 mijë ton.
Fuqia e Titanit ishte 50.000 kuaj fuqi, ndërsa e Titanikut 55.000 kuaj fuqi. Shpejtësia maksimale e të parit ishte 25 nyje; po 25 nyje ishte dhe shpejtësia e të dytit. Shkaku i mbytjes të së dy vaporave, vëndi ku ndodhi fatkeqësia dhe koha, ishin të njëjta. Si në ‘’Titan’’ ashtu dhe në ‘’Titanik’’ lundronin perfaqësuesit e klasave të larta, në të dy anijet gjithashtu, nuk ishin të mjaftueshme varkat e shpëtimit. Lista e koinçidencave ishte kaq e madhe dhe e saktë, sa që padashur, njeriu fillon dhe bën pyetjen: si mundet të bëhet realitet një parashikim i këtillë?.. Gazetat e e asaj kohe filluan ta quajnë Morgan Robertsonin gjeni të zymtë. Në adresën e tij u postuan qindra e qindra letra të hidhura nga të vejat dhe jetimët. Vepra e tij Kotësi u shpall si një vepër e mallkuar dhe atë nuk e botuan më asnjëherë, ndërsa vetë fjala Titanik u bë simbol i kastastrofave, symbol i fatkeqesive te medha ne det.