“Incluso su firma es una obra de arte.” (Edhe firma e tij është vepër arti.) tha Pablo Picasso për Ibrahim Kodrën. Poeti i madh francez, Paul Eluard, në vitin 1946 e quajti Kodrën “primitivi i një civilizimi të ri.” Shqipëria ka nxjerrë shumë emra artistësh të cilët kanë arritur suksesin në botë, megjithatë, Ibrahim Kodra mbetet artisti emër-madh më i rëndësishëm shqiptar i shekullit të 20-të. Ai lindi më 22 prill, 1918, në Ishëm, qarkun e Durrësit, ku sot është edhe vendi i tij i prehjes.
Viti i lindjes, pra 1918, njihet zyrtarisht, por sipas burimeve të familjarëve tē Kodrës, viti i tij i vërtetë i lindjes ishte 1914. Arsyeja e ndryshimit të vitit ndoshta ka të bëjë me mundësinë e studimeve në Itali. Për ta fituar këtë të drejtë studimi, pasi hasi pengesë nga ministria e kulturës nën Mbretin Zog, Kodrës iu desh t’i dërgonte një letër Mbretëreshës Geraldinë, shoqëruar me një portret që ai i kish bërë Mbretëreshës.
Sipas burimeve, ishte ndërhyrja e Mbretëreshës, e mahnitur nga talenti i Kodrës, që bëri t’i jepej leja për të shkuar me studime në Itali, ku jetoi e prodhoi rreth 6 mijë vepra, që mbeten një trashëgimi e jashtëzakonshme jo vetëm për artin shqiptar por edhe artin botëror. Figura emblematike e Ibrahim Kodrës konsiderohet ndër më të rëndësishmet në artin e shekullit të 20-të, duke ekspozuar veprat e tij anëembanë botës, në galeritë më presigjoze, përkrah kolosëve të artit, si Pablo Picasso, Henri Mattise, Marc Chagall, Amedeo Modigliani, Salvador Dali, Georges Braque, e të tjerë. Miqësia e tij e ngushtë me Pablo Picasso lindi në Romë në vitin 1948.
Gazeta të kohës shkruanin për Picasso-n bashkë me Kodrën, duke e konsideruar shqiptarin si “postkubisti i fundit në Evropë.” Vetë Picasso e quante Kodrën “Shqiptari im,” jo vetëm nga prejardhja por edhe nga reflektimi i elementeve tradicionalë shqiptarë në veprat e tij, si peizazhi i Ishmit, kostumet popullore, ngjyrat tradicionale, etj. Veprat e Ibrahim Kodrës gjenden në dhomat e Vatikanit, në Dhomën e Deputetëve (Parlamenti Italian) në galeri e muze të njohura, dhe koleksione private në të gjithë botën.
Kodra e vizitoi Shqipërinë në vitin 1973 e më pas në vitin 1996, 1997, 2003, e për t’u kthyer përgjithmonë, sipas amanetit që la, për t’u prehur në vendlindjen e tij, në fshatin Likmetaj në Ishëm. Ai prehet pranë Kalasë së Ishmit, në një peizazh madhështor, ku nderohet nga vendasit dhe vizitorë të shumtë. Por, ka ardhur koha që emri i tij të lartësohet edhe më shumë përmes krijimit të një muzeu apo galerie me emrin dhe në nder të artistit të madh, pasi rrallëherë ndodh që të lindin sërish figura të tilla të cilët mbeten ambasadorë të përjetshëm të Shqipërisë në arenën dhe historinë botërore.
Ishmi, Durrësi, e gjithë Shqipëria, duhet të krenohen me Ibrahim Kodrën. Jeta dhe veprat e tij duhet të mësohen më shumë në shkolla pasi ai do mbetet njē trashëgimi tejet e çmuar dhe e rrallë e artit shqiptar.