Sot është Dita e Shekspirit. Dramaturgut më të madh të të gjitha kohërave. Uilliam Shekspiri lindi më 23 prill 1564 në Stratford upon Avon, Angli, dhe vdiq më 23 prill 1616 në po të njëjtin qytet. Gjenialiteti i veprave të tij mbetet i padiskutueshëm, por autorësia e tyre është vënë shpeshherë në dyshim. Në dekadat e fundit u shtrua gjerësisht pyetja: A i shkroi vërtetë Shekspiri veprat e tij?
– Si lindi ky dyshim?
Shoqëria e sotme ka një të metë shumë të madhe. Ajo vazhdon e bën gabimin më të madh universal, duke e konsideruar mendjen e sotme njerëzore si më të avancuarën dhe më inteligjenten në historinë e njerëzimit. Ne, sot, mendojmë se dimë gjithçka, dhe kemi një përgjigje për gjithçka. Madje jemi shndërruar në skeptikë të së kaluarës, duke hedhur dyshime mbi pothuajse çdo aspekt historik apo dhe figura të shquara të njerëzimit ndër shekuj, duke i konsideruar ata arkaikë dhe të pacivilizuar. E vërteta është se ne, njerëzit modernë, kemi po të njëjtin kapacitet të trurit tonë si edhe njerëzit e mijëra viteve më parë. Asnjë qelizë e trurit tonë nuk ka evoluar që nga truri i njerëzve të parë. Madje, mund të pohohet se vërtetë për shkak të eksperiencave dimë më shumë, por po prodhojmë më pak fenomene. Jemi shterpë në lindjen e gjenive, dhe kjo zbrazëti na shtyn ta shohim të shkuarën me skepticizëm dhe të dyshojmë mbi gjenialitetin e figurave të papërsëritshme historike apo artistike, ndër to, edhe Uilliam Shekspir, mbi të cilin, epoka e njeriut modern ka guxuar dhe ngritur pyetjen: A i shkroi vërtetë Shekspiri veprat e tij?
Veprat e Shekspirit janë magjike. Aq magjike dhe të papërsëritshme sa që prej vitesh janë hedhur dyshime nëse ishte dikush tjetër, më fisnik, më i pashëm, më me emër, që i shkruajti ato, dhe jo një njeri i thjeshtë, pa shkollë, pa status në shoqërinë e asaj kohe.
Ndër vite janë ngritur hipoteza se autorët e vërtetë të veprave të Shekspirit ishin Lord Francis Bacon, Konti i Essex, Christopher Marlow, Konti i Derby, Konti i Rutland, Konti i Oxford, madje edhe vetë Mbretëresha Elizabeta I.
Në vitin 2011, një film i Hollivudit. i titulluar “Anonymous” (Anonim) me regji të Roland Emmerich, e ringriti këtë çështje duke e portretizuar Shekspirin thjeshtë si një aktor pijanec dhe mashtrues, dhe Kontin e Oxford si autorin e vërtetë të veprave që njohim sot nën emrin e Uilliam Shekspir.
– E vërteta.
Njeriu modern kërkon trillim. Epoka e telenovelave nuk mjaftohet me të vërtetën e thjeshtë të një gjeniu që xhelozon këdo që është apo e mban veten për shkrimtar. Nuk duhet të ekzistojë asnjë pyetje e tillë mbi vërtetësinë e autorësisë së veprave pasi provat se ishte Shekspiri ai që shkroi veprat e tij janë të shumta. Nuk ka asnjë provë që sugjeron se dikush tjetër i shkruajti ato. Asnjë studiues prestigjoz i periudhës Elizabetiane nuk ka pranuar argument kundër Shekspirit, përkundrazi, hipoteza të cilat akademikët më të shquar të botës i konsiderojnë thjeshtë si “marrëzi.”
Emri i Shekspirit si autor veprash shfaqet në dyzetë e nëntë edicione veprash dhe poemash të publikuara midis viteve 1598 dhe 1622, më shpesh sesa ndonjë dramaturg apo poet tjetër i asaj periudhe.
Njëmbëdhjetë prej veprave të tij janë cituar (dhe vlerësuar) në një libër të publikuar kur ai ishte tridhjetë e katër vjeç. Ai është autori i përmbledhjes së parë (Folio) me titullin, Komeditë, Historitë, dhe Tragjeditë e Z. Uilliam Shekspir, publikuar vetëm shtatë vite pas vdekjes së tij. Redaktorët e përmbledhjes ishin kolegët e tij aktorë, të cilët e përshkruajnë Shekspirin si kolegun e tyre aktor, autor, dhe mik. Për më tepër, parathënia e tyre përmbledh katër poezi të cilat i referohen pa asnjë dyshim Shekspirit si autori i atyre veprave. Një nga poezitë është e dramaturgut të njohur Ben Johnson.
Shumë dokumenta e tregojnë Shekspirin duke performuar në veprat e veta në oborret e Mbretëreshës Elizabetë dhe Mbretit Xhejms, dhe ai u varros, bashkë me gruan e tij, vajzën dhe dhëndrin e tij në vendin më dinjtoz në kishën e qytetit të tij, Stratford-upon-Avon. Një monument i gdhendur, i përmendur në përmbledhjen e veprave të tij, u vendos mbi varr, dhe u vizitua në vitet më pas nga njerëzit që donin të shikonin, siç shkruajti dikush, vendin e prehjes së “poetit më mendjeprehtë në botë.” Lindja, martesa, vdekja, dokumenta heraldike dhe ligjore, plus me dhjetra citime gjatë dhe pas jetës së tij, na tregojnë më shumë rreth Uilliam Shekspir se sa gjenden për persona të tjerë të rëndësishëm të periudhës së tij.
Atëherë çfarë na mbetet për të argumentuar? Spekullatorët, apo dashnorët e trillimeve, japin argumenta që nuk paraqesin pikturën e saktë të një shkrimtari të tillë madhështor, si p.sh: ai nuk shkoi të studionte në kolegj; emri i tij shkruhej në disa versione dhe ndonjëherë me apostrofë; firmat e tij indikojnë një shkrim të keq; gruaja dhe vajzat e tij ndoshta nuk dinin shkrim dhe këndim; ai nuk përmendi ndonjë bibliotekë në testamentin e tij; nuk pati ceremoni për vdekjen e tij; ai nuk udhëtoi kurrë në Itali (në vendin që zhvillohen më të shumtat e veprave të tij); dhe një gdhendje e hershme e monumentit të tij në Stratford ka pamje krejt të ndryshme – pa penë në dorë – ashti siç e ka monumenti sot.
Shumë pak prej këtyre mund të vërtetohen, dhe asnjëra prej tyre nuk është bindëse dhe e vërtetë. As Eskili, Uripidi, dhe George Bernard Shaw nuk shkuan në kolegj. Nëse është e vështirë të imagjinohet një fshatar që shkruan me gjuhë oborresh është edhe më e vështirë të imagjinohet një kont ose mbretëreshë të shkruajë me gjuhën e rrugës dhe të tavernave, apo përshkrimin se si bëhen dorezat, siç lexojmë tek Nata e Dymbëdhjetë, Romeo dhe Zhulieta, dhe Henri VII.
Skeptikët shtrojnë pyetjen se si mund të shkruajë një njeri për Italinë pa e vizituar kurrë atë! Por, njohuria e Shekspirit mbi Italinë nuk tejkalon njohuritë e një personi inteligjent me informacion të marë nga një bisedë e thjeshtë me marinarët apo shtegtarët gjatë një pasditeje – dhe në fakt, përshkrimet e tij nuk ishin shumë të sakta, p.sh. Shekspiri shkruan rreth dikujt që mund të humbiste në rrjedhën e ujit gjatë një udhëtimi nga Verona në Milano, ndërkohë që në fakt nuk ekziston një rrugë ujore.
Shumë njerëz kanë firma të palexueshme, dhe në ditët e Shekspirit as gërmëzimi dhe as apostrofi nuk ishin të standartizuara. Për shkak se nuk kemi dijeni për një ceremoni vdekje nuk do të thotë që nuk ka patur një të tillë, dhe provat tregojnë qartë se gdhendja e një monumenti pa penë ishte një ndër shumë gabime të një libri të përgatitur me nxitim. Dhe nëse Shekspiri kishte një bibliotekë, duhet t’ia kishte dhuruar dhëndrit të tij (një doktori) përpara se të vdiste ose t’i jepej të shoqes së bashku me shtëpinë dhe orenditë, ose ndoshta i mbante librat në një zyrë personale në teatrin The Globe në Londër, i cili u dogj i tëri tre vite pas vdekjes së tij.
Dhe kush e di me siguri se ndoshta ai udhëtoi në Itali dhe studioi në kolegj? Nuk dijmë asgjë për Shekspirin midis moshës njëzetë e një dhe njëzetë e tetë vjeç; ai mund të ketë qenë kudo dhe mund të ketë bërë gjithçka gjatë kësaj periudhe.
Por e dijmë që ishte një njeri i teatrit. Dhe absolutisht një gjeni. Çfarë duhet të dijmë tjetër? Përse duhet të insistojmë se ai kishte shkrim të bukur dore? Ose të afërmit e tij të dinin shkrim e këndim? Për shkak se ne kemi? Por, ne nuk jemi Shekspiri, dhe Shekspiri nuk ka përse të ishte si ne.
Dhe, nuk ekziston asnjë provë se dikush tjetër shkroi veprat e tij – e cila shpjegon përse ka disa dhe jo një pretendent për pozicionin e mistershëm të Shekspirit të “vërtetë.”
Një nga evidencat e skeptikëve të Shekspirit, sipas tyre gjendet tek fjala “honorificabilitudinitatibus” e cila gjendet tek vepra e Shekspirit Mundimet e Humbura të Dashurisë. Sipas tyre kjo fjalë përmban një të fshehtë: “hi ludi F.Baconis nati tuiti orbi” (këto vepra të Francis Bacon ruhen për mbarë botën.) Ky argument nuk qëndron pasi kjo fjalë rrjedh nga një fjalë latine e hershme të cilën Dante Alighieri e përdori disa herë dhe kuptimi i saj i vërtetë është: “të jesh në gjendje të arrish lavdinë.”
Por, le të supozojmë se qenka e mundur që të gjitha provat që disponohen për vërtetësinë e Shekspirit, të gjitha pa përjashtim, mund të jenë të falsifikuara. Nëse mendojmë që kjo do ishte e mundur do të thotë se Shekspiri kishte mundur të mashtronte (ose të blinte) çdo njeri në qytetin e tij, çdo njeri në kishën e tij, çdo njeri në kompaninë e tij teatrale, çdo njeri në dy oborret mbretërore, çdo njeri në botën teatrale londineze, dhe shumicën e shtypshkronjave dhe librashitësve në Angli, si edhe cilindo që këta njerëz takonin dhe flisnin. Do ishte njësoj sikur të ngrihej sot apo në të ardhmen teza që Ismail Kadere nuk ka shkruar veprat e tij.
Nëse kjo gënjeshtër gjigande e Shekspirit do ishte e vërtetë atëherë do ishte tallja më e madhe në historinë e njerëzimit. Por e vërteta është e thjeshtë, Uilliam Shekspiri është autori i veprave të tij dhe çdo dyshim mbi të do ishte spekullim.
Thuhet shpesh se dihet shumë pak për jetën e Uilliam Shekspir, por në fakt ne dimë më shumë për Shekspirin sesa për shkrimtarët e tjerë të kohës së tij. Ai lindi në një qytet të vogël fermash në Stratford-upon-Avon, rreth njëqind milje në veri të Londrës, në vitin 1564. I ati quhej Xhon Shekspir, i cili më pas u bë kryetari i Stratford (i barabartë me kryetarin e bashkisë në ditët e sotme) dhe e ëma ishte Mary Arden. Nuk dihet asgjë për arsimimin e tij fillor, por ka gjasa që ndoqi shkollën Mbreti Edward VI në qytetin e lindjes, sepse pozicioni i të atit do e mundësonte pranimin e tij aty. Ai u martua me Anne Hethaway në vitin 1582. Ata kishin tre fëmijë: Susanna në vitin 1583 dhe binjakët Hamnet dhe Judith në vitin 1585.
Një koment publik mbi Shekspir në vitin 1592 indikon se ai ishte bërë i njohur në qarqet teatrale të Londrës në atë vit, si shkrimtar. Që nga ajo kohë e tutje, Shekspiri u bë një shkrimtar dhe aktor i rëndësishëm, dhe pronar i pjesshëm i Lord Chamberlain’s Men, kompania e parë më e mirë teatrale në Angli, e cila shumë shpejtë u riemërua Njerëzit e Mbretëreshës nën patronazhin e Mbretëreshës Elizabeta I dhe më pas Njerëzit e Mbretit nën Mbretin Xhejms.
Shekspiri jetoi në disa zona të Londrës gjatë karrierës së tij, por famija e tij qëndroi në Stratford. Në vitin 1602 ai bleu shtëpinë e dytë më të madhe në Stratford, dhe doli në pension në Stratford rreth vitit 1613. Ai u varros pranë gruas së tij në kishën Trinity Church, nën një monument me portretit të tij.
Shtatë vite pas vdekjes së Shekspirit, një përmbledhje e veprave të tij (I ashtuquajturi First Folio) u publikua nga dy prej ish kolegëve të tij, duke siguruar kështu mbijetesën e shumë veprave që nuk ishin botuar gjatë jetës së tij. Këtu u përfshinë kryevepra si Makbethi, Nata e Dymbëdhjetë, Zbutja e Kryeneçes, Antoni dhe Kleopatra, Jul Çezari, etj.
Shekspir. Vetëm emri mbush shumë faqe. Ai është konsideruar si shkrimtari më i madh në gjuhën angleze, dhe është anglezi më i njohur që ka jetuar ndonjëherë, dramaturgu më i madh, autori i sonetave, dhe poeti dramatik i historive më të shquara të të gjitha këtyre formave letrare. Sot, Shekspiri ka marë një stat hyjnor në Angli, ku vendlindja e tij është shndërruar në një faltore kombëtare. Jeta e tij ka inspiruar biografi të panumërta, romane, dhe vepra teatrale, dhe një film të mrekullueshëm që fitoi shumë çmime kinematografike (Shekspir in Love, 1998) dhe veprat e tij përbëjnë repertorin bazë të dhjetra teatrove profesioniste në botë. Ai është dramaturgu më i preferuar në botën e sotme, jo vetëm në Angli dhe Amerikë por edhe në shumë vende të tjera ku veprat e tij janë të njohura përmes përkthimeve.
Aktor, regjizor, producent, komentator, dhe autor, arritjet e tij si “njeriu i teatrit” kanë vendosur standardin për çdo artist dramatik që nga koha e tij.
Megjithatë, ndonëse Shekspir shkëlqeu më shumë sesa epoka e tij, pesëdhjetë e kusur vite të dramës angleze gjatë kohës së tij do kishin lënë gjurmë të thella edhe nëse ai nuk do kishte ekzistuar. Një dramaturg, Christopher Marlow, i lindur në të njëjtin vit si Shekspir (1564) ishte po aq i plotësuar sa Shkrimtari i Stratford-upo-Avon gjer në momentin e vdekjes së tij tragjike në vitin 1593. Ben Johnson, John Webster, dhe John Ford, të gjithë shkrimtarë pak a shumë bashkëkohorë me Shekspirin, ishin autorë të njohur të asaj kohe, dhe veprat e tyre kanë lënë gjurmë në histori.
Shpeshherë quhet “Epoka Elizabetiane,” ajo pjesë historike të dramës në të cilën Shekspiri luajti rolin kryesor. Megjithatë, ky etiketim është i komplikuar sepse teknikisht i referohet vetëm sundimit të Mbretëreshës Elizabeta I (1558-1603), kurse Shekspiri dhe bashkëkohësit e tij lulëzuan më shumë nën sundimin e Mbretit Xhejm I, në të ashtuquajturën epoka jakobine (1603-1625). Në fakt, fama e tyre nuk mbaroi gjer në revolucionin puritan të vitit 1642, kur një ligj i parlamentit urdhëroi mbylljen e të gjithë teatrove publike, duke sjellë kështu një fund të papritur të traditave teatrale madhështore të epokës.
Në kohën shekspiriane kishte të paktën një dyzinë teatrosh, shumë prej të cilave paraqisnin rregullisht vepra për një audiencë të madhe që paguante biletat. Këto teatro siguronin një mënyrë jetese për dhjetra kompani profesionale aktrimi dhe poetë dramatik. Ky nivel i aktivitetit teatral nuk do përsëritej më për më shumë se dyqind vjet në asnjë vend të botës, pavarësisht se popullata e Londrës dhe kryeqyteteve të tjera europiane do rriteshin me dhjetra herë.
Veprat e Shekspirit zhvilloheshin në vende dhe kohëra të largëta, ose kthim në histori, si për shembull, kronika e tij e mrekullueshme me tetë pjesë e luftës midis York dhe Lanchaster, ose përtej brigjeve angleze, në vende si Verona, Venecia, Qipro, Romë, Danimarkë, Navara, Athinë, Egjipt, Padova, Siçili, madje edhe Shqipëri ku zhvillohet vepra Nata e Dymbëdhjetë.
Rilindja nuk ishte epoka e neglizhimit dhe e vendeve të rëndomta brenda oborrit të shtëpisë; ishte epoka e eksplorimit, e zbulimit të Amerikës dhe vendbanimeve të para në Kontinentin e Ri, epoka e Kopernikut dhe Galileos – një epokë e kurajos, kuriozitetit, aventurës, dhe zbulimit.
Sundimi i Elizabetës I ishte një kohë e rëndësishme për mbarë botën. Nacionalizmi po zgjohej me ngadalë nga mbetjet e Perandorisë Romake, dhe lidhjet kulturore, politike, dhe ekonomike ndërmjet vendeve europiane po forcoheshin dhe ndërthureshin. Letërsia, në veçanti, tregonte një dëshirë për të kapërcyer kufijtë; disa vepra dhe romane përktheheshin në gjuhë të huaja sapo shkruheshin apo shfaqeshin në skenë. Jo vetëm që Shekspiri (dhe kolegët e tij shkrimtarë) i mori subjektet për veprat e tij nga burime të huaja, por ai gjithashtu përgatiti dialogjet e tij me fraza të huaja, të cilat audienca e tij mund ti kuptonte pjesërisht. Në fakt, vepra e Shekspirit, Henry V mbetet sot e vetmja vepër angleze që ka një skenë të tërë të shkruar në një gjuhë të huaj (frengjisht) dhe tregon kështu shijen kosmopolitane të teatrit të asaj periudhe.
Shekspiri ishte autor i 38 veprave, 154 sonetave dhe 2 poemave narrative. Ndonëse referenca e parë e karrierës së tij teatrale është ironike (një sulm i rivalit të tij dramaturg Robert Greene në vitin 1592 e quajti “një korb i ri… i cili… pretendon se di të shkruajë një varg më mirë sesa ju”), veprat e tij tërhiqnin vëmendje shumë të madhe. Gjer në vitin 1598 emri i tij po shfaqej në titujt e veprave (Rikardi II, Rikardi III, dhe Mundimet e Humbura të Dashurisë) dhe një kritik, Francis Meres (1565-1647), e kishte vlerësuar atë duke shkruar “Shekspiri i gjuhës së butë dhe të ëmbël si mjaltë” dhe si shkrimtarin më “të mrekullueshëm” anglez i tragjedisë dhe komedisë. “Muzat do flisnin me frazat e rafinuara të Shekspirit, nëse ato do flisnin anglisht,” shkruajti Meres.
Të mohosh Shekspirin në letërsi është njësoj sikur të mohosh Aishtajnin në fizikë. Të gjitha veprat e tij që bota trashëgon kanë vetëm emrin e tij, Uilliam Shekspir, dhe asnjë emër tjetër.
Duke iu kthyer arrogancës së shoqërisë së sotme, teksa mburremi me teknologjinë, elektronikën, internetin, anijet kozmike, etj, le të mos harrojmë se pavarësisht zbulimeve të reja nuk jemi akoma në gjendje të njohim misteret e së kaluarës.
Sot ndërtohen kulla me kilomentra të larta por nuk dihet akoma si u ndërtuan piramidat 4,000 vite më parë; ndërtohen stadiume me qindra mijëra vende por nuk mund të ndërtohet dot një Kolose tjetër; kemi shpikur gjenialitetin e internetit por nuk kemi më asnjërin që i përafrohet gjenive të së kaluarës; sot kemi filozofinë moderne por filozofët e vërtetë lindën 2,500 vite më parë; dëgjojmë Lady Gaga por muzikantët e vërtetë si Mozarti, Bethoven, Bahu, etj, kanë qindra vite që janë s’janë më; lexojmë libra në Kindle apo iPad por Homeri, Dante, Shekspiri, e shumë e shumë të tjerë janë të papërsëritshëm në ditët e sotme.
Kryeveprat ndër shekuj janë dëshmia e civilizimit dhe gjenitë janë piketat e zhvillimit dhe progresit të cilët nuk lindin për një kohë apo periudhë, për një vend apo një gjuhë, por për mbarë njerëzimin që ishte, është dhe do të vijë.
Shoqëria e sotme duhet t’i integrojë kryeveprat e botës më shumë në sistemin e saj kulturor dhe jo të ngrejë spekullime mbi identitetin e tyre. Individi i sotëm që nuk ka njohuri mbi to apo që nuk është lexues i rregullt i tyre ka defiçenca të theksuara të botës së brendshme të njeriut.
Londra e para 500 viteve kishte më shumë teatro se sa Tirana jonë “moderne” dhe ndoshta jo të gjithë kanë mundësinë e përjetimit real të një drame, por askush nuk mund t’i qëndrojë larg leximit të një vepre, e jo më të dyshojë mbi indentitetin e autorit.
Cilido që nuk e njeh botën e veprave shekspiriane ka privuar veten nga emocionet, shpresa, dashuria, madje edhe vetë jeta.
Nëse Shekspiri do e njihte natyrën e meftë të njeriut modern dhe të boshllëkut të sotëm ndaj artit të vërtetë, me siguri do citonte këtë varg të shkruar nga dora e tij tek vepra Mbreti Lir:
O zavallë të varfër, kudo që jeni,
Që mbani peshën e kësaj stuhie të vrazhdë,
Si mundet që ju që s’keni ku të fusni kokën dhe s’keni me çfarë të ushqeheni,
Si mundet që leqet dhe leckat e grisura, t’ju mbrojnë nga kohë të tilla?
Oh, si nuk ju kam kushtuar kohë më parë! Preke, ndjeje, ekspozoje veten të ndjesh atë që ndjen leckamani,
Që të jetosh jetën si ata
Dhe që qiejt të vendosin drejtësi.