Biblioteka Publike “Gjergj Fishta” organizoi një bashkëbisedim me botuesin dhe publicistin e njohur Frano Kulli, i cili krahas ribotimit te plotë te veprës së Fishtës, ka dhe mjaft botime të tjera me vlerë, për autore me emër të gjuhës dhe letërsisë shqipe. Në këtë takim, studiues dhe krijues të ndryshëm, diskutuan rreth dy botimeve të fundit të autorit “Fishta, rileximi në kohën e lirisë” dhe librin publicistik “Djerrinave të kohës”.
“Unë jam i bindur që ky promovim sot i veprës Frano Kulli do të ishte mbajtur njësoj si këtu në Bibliotekën Kombëtare”, tha shkrimtari Ndue Dedaj.
“Jam ndalur vetëm në disa fragmente të librave të Franos, kryesisht librat me publicistik, sesi librat e këtij publicisti vijnë në koshiencën e një gazetari ende aktiv”, tha poeti dhe gazetari Marash Mirashi.
“E them me bindje të plotë që është pasuria më e rëndësishme intelektuale që ka shkelur në Lezhë”, tha piktori Pashk Pervathi.
“Frano në publicistikën e vet fokusohet tek njerëz, tek veprat, tek ngjarjet, tek histori, tek krahinat etj pak të anashkaluar me kohën”, tha shkrimtari dhe studiuesi Ernest Marku.
Frano Kulli është njëri nga emrat e ridimensionimit të kulturës shqiptare në periudhën pas viteve 90, në radhë të parë, për shkak të asaj që ka bërë për rikthimin e Gjergj Fishtës, si botues, e gradualisht edhe si studiues i veprës së tij./rtsh.al