Nga Alfred Lela
Më e para gjë që industria e medias duhet të bëjë, në mënyrë që t’i japë një dorë alfabetizimit mediatik të popullatës është të shndërruarit në public tool. Pra, një mjet në funksion të interesit publik, përkundër atij individual, të klanit apo ‘grupit të interesit’, i prirë kryesisht nga interesi ekonomik.
Ky zhbalancim mes retorikës apo dogmës dhe faktit në veprimtarinë e medias, është guri më i rëndë në qafën e saj, është misioni i pamundur që media të plotësojë apo të niset drejt përmbushjes së misionit të vet.
Sigurisht, nuk ka studime dhe as sondazhe, të paktën këtu në Shqipëri që e lidhin rënien e besueshmërisë së medias me rënien e media literacy, pra kuptimin, interpretimin apo qoftë edhe identifikimin me median dhe punën e saj. Por, një nga gjërat që i ka shtyrë publikët drejt argëtimit përkundër informimit është fakti se informimi vetë është kthyer në argëtim. Në kuptimin që ai është parë si shërbim për marketing, editorializim etj., më shumë se përcaktues i misionit të gazetarit dhe medias.
Me që ka humbur formimin përmes informimit të drejtë dhe profesional, media ka humbur edhe besimin që rrjedh nga dija, ekspertiza, profesionalizmi apo nga besimi tek ato.
Vija delikate mes argëtimit dhe informacionit, infotainment, është kaluar në favor të së dytës
duke sjellë edhe analfabetizimin e shpejtë të audiencave apo shoqërisë.
Alfabetizimi, atëherë, fillon nga qendra e thyerjes, nga ndreqja e kësaj rënieje.
Kjo duhet të jetë pika e parë në programin e ringritjes. Kjo nuk i asgjëson përpjekjet e tjera, por më të paktën vonon efektin e tyre. Përpjekje të tilla, si për shembull vendosja e një dialogu me lexuesin/shikuesin. Këtu nuk e kam fjalën për ‘telefonatat e emisioneve të mëngjesit’ në TV apo radio, të cilat janë më shumë një përpjekje për ‘të mbushur orën’ apo si masturbim i moderatorit të emisionit. Sigurisht, as për ‘qenin nuhatës’ të klikimeve dhe shikueshmërisë, i cili e kthen hundën e televizionit apo portalit pikërisht nga gjurma e trashë e masës. As për përbetimin retorik se gazetari, televizioni apo gazeta janë këtu për interesin e publikut.
Pra, dialogu jo si ‘lëndë me zgjedhje’, por si kurrikul ku përfshihet si zgjedhja, ashtu edhe orientimi/diktati editorialo-profesional. Ka një prishje karakteri te qëndrimi i shumë njerëzve të medias që thonë se media nuk është bërë për të edukuar publikun, ndërkohë që kryen pikërisht të kundërtën çedukimin apo keqedukimin e tij. Atëherë, nëse një gjë mund të çedukojë, me siguri mund të kryejë edhe të kundërtën e atij procesi.
Mjetet kryesore të media literacy apo alfabetizimit të medias kanë rënë. Më e para
rrallësia e mediumeve që shpërndanin informacionin. Rrallësia (numër i kufizuar) që çonte edhe te një tipar i dytë, pajtimtaria (abonimet). Publiku ishte i lidhur me disa gazeta apo televizione duke çuar disa ekspertë te mendimi (i gabuar) se liberalizimi dhe shumësia do të çonin në humbje të kontrollit të medias dhe të grupeve (apo qeverisë) të lidhur me të. Shumësia ka rritur liberalizimin, por nuk e ka rifituar kontrollin, përkundrazi e ka humbur atë në përgjithësi.
Tani të gjithë kanë një media dhe janë ‘gazetarë’, por askush nuk beson tek askush dhe në
këtë proces ka ndodhur edhe analfabetizimi shpirtëror, që përfshin edhe atë mediatik.
Për ta mbyllur, pa e kthyer në një manifest, alfabetizmi i medias ndodh së pari duke
vrojtuar defektet e sistemit dhe duke i riparuar ato.