Një triologji për të mos u humbur pjesa e dytë – Nga Klea Cërri

Një triologji për të mos u humbur pjesa e dytë – Nga Klea Cërri

Vëllimi i dytë i triologjisë ‘Aleksandri dhe Tatiana’, i cili mban të njëjtin emër na tregon vazhdimësinë e dashurisë së tyre.


Për një pamje të përgjithshme të romanit po ju them që Tatiana ia doli të arratisej në Finland dhe më pas të shkonte drejt Amerikës, aty ku lind djalin e saj Antonin dhe fillon të punojë si infermiere. Atje ajo krijon shoqëri të reja, mahnitet nga bollëku i ushqimeve, nga liria e fjalës dhe veprimit, por nuk ishte e lumtur. Asaj i mungonte Aleksandri, që i kishte dhuruar lirinë dhe nuk rreshti kurrë së kërkuari zyrave për ndonjë informacion rreth tij.


Si një vajzë e re dhe hijeshumë Tatianën e ngacmuan mjaftë meshkuj, por ajo nuk deshi asnjërin se ata nuk ishin Aleksandri i saj. Sytë i shkëlqenin vetëm për djalin e saj bardhosh me sytë e zinj që i ngjasonte të atit. Flinte me të dhe kujdesej për të dyfish, sepse i dhuronte edhe pjesën e përkujdesit që nuk mund t’ia ofronte bashkëshortit të saj, që ajo se dinte se ku ndodhej. Por a ia vlente që ajo të jetonte si vejushë, ndërkohë që rrethohej nga të gjitha të mirat dhe miku i saj Eduart mjeku interesohej për të? Sipas mikes së saj jo, por zemra e Tatianës kishte ndaluar së rrahuri që kur sytë nuk i panë më Aleksandrin. Në luftë me vetveten ajo kupton që jeta pa të nuk ka kuptim dhe ajo duhet ta gjente patjetër e ta sillte pranë gjirit të saj.


Ndërkohë që Tatiana ndjente flladin e ngrohtë të lirisë amerikane, Aleksandri ndodhej në burgje, në beteja e në pragun e vdekjes. I dërguar në krye të një batalioni ndëshkimor si rrjedhojë e një deklarate të bërë për të si spiun amerikan, misioni i tij i vetëm ishte t’i shpëtonte errësirës e të rigjente lirinë. Përgjatë rrugëtimit të tij të vështirë me humbjen e shumë ushtarëve që priheshin nga ai, u takua me Pashën, vëllain binjak të Tatianës që e kishin menduar të vdekur që në fillim të ksaj lufte.


Pas këtij takimi misioni i tij përfshiu edhe kunatin, duhet të mbante gjallë veten dhe Pashën për Tatianën e tij imcake e të bukur. Shfaqja e saj si një zanë e kurorëzuar nëpër ëndrra e mbante atë me shpresa plot, por mendja gjithmonë i thurte gënjeshtra, sikur ajo nuk i kishte qëndruar besnike. Ai nuk duhej aspak të mendonte në mënyrë të tillë, por nuk e ndihmonte dot veten.


Pas gjithë luftimeve që ai bën, bie në duar të sigurimit të lartë të shtetit socialist dhe e burgosin, ai arratiset plot 18 herë, por gjithnjë i pafat, në njërën prej tyre ai humbi përgjithmonë Pashën.


Tatiana nga ana tjetër e botës merr një vendim përfundimtar, bëhet infermiere në kryqin e kuq dhe drejtohet për nga burgu ku ishte duke u torturuar Aleksandri me një plan të përsosur arratisjeje. Ata takohen së bashku e gjithë jeta i gufohet në kraharor dhe gjithçka që mund të thonë është emri i njëri-tjetrit. Shpëtuan! Jeta e tyre e re i priste, djali i tyre i vetëm i priste, historia e tyre e dashurisë dhe jeta e pajetuar i priste. Por a munden dot ata të jetojnë të lumtur? Fantazmat e të shkuarës i dalin nëpër ëndrra dhe i thonë llahtare të ndryshme, por a mund të jetojnë ata midis këtyre ëndrrave?


Historia e tyre e dashurisë qe e destinuar të mos niste kurrë, duke marrë parasysh faktin që Dasha, motra e saj ishte e lidhur me Aleksandrin, por ata kapërcyen çdo pengesë morale, çdo pengesë shpirtërore për të qënë së bashku. Sinqeriteti i tyre duhet të kishte qënë prezent që në fillimet e tyre, duhet t’i kishin rrëfyer Dashës të vërtetën, mbase do të ishin më të lumtur dhe ndoshta ne lexuesit në vetvete nuk do t’i kishim gjykuar thellësisht, pavarësisht historisë së mrekullueshme që na dhuruan.


Por jeta e tyre nuk ishte aspak e lehtë, patën tronditje, mungesa e mërzitje. Për të dëgjuar më shumë rreth tyre ju ftoj të lexoni pjesën e tretë dhe të fundit të kësaj triologjie.