Nga Skënder Minxhozi
Përkrahja publike që kryeministrja Meloni i bëri homologut të saj shqiptar Edi Rama pas dokumentarit të Rai 3, i turbulloi edhe më shumë ujërat mes të majtës shqiptare dhe asaj italiane. Rai 3 një kanal televiziv historikisht i afërt me të majtën, kreu një sulm personal ndaj kryeministrit shqiptar, i cili duket se pasqyron edhe një pjesë të madhe të sensibiliteteve negative që e majta në Itali ka mataruar për aleatin e saj ideologjik në Tiranë që “shkon e puthet me fashistët”. Por në optikën politike të Edi Ramës kjo është vetëm një rrethanë periferike. Ai nuk ka qenë kurrë i majtë në sensin e vërtetë të termit dhe aq më pak socialist korporativ.
Përtej sherrit në distancë me gazetarët italianë për dokumentarin e fundit, i cili si gjithmonë në kësi rastesh shkon më larg sesa standarti dhe normalja, Edi Rama ka treguar se mund t’i shkelë pa asnjë merak ideologjik kanunet e vjetra të përkatësisë partiake. Zëvendëspresidenti i Internacionales Socialiste është vërtet i tillë me kartvizitë dhe protokoll, por në jetën reale, aty ku politika luhet me një shtrëngim dore, bisedime konfidenciale apo kompromise e marrëveshje në tryezë, ai s’e ka fare problem të harrojë se çfarë tesere mban në xhep personi me të cilin po flet. E rëndësishme është të arrijë qëllimin dhe interesin e tij politik.
Për këtë arsye nuk është fare e habitshme që Rama pati vite më parë më shumë komunikim e raporte njohjeje me kancelaren e djathtë Merkel, sesa me kancelarin e sotëm të majtë Scholz. Nuk është gjithashtu aspak e habitshme që në Turqi ai ka miqësi me konservatorin Erdogan, e jo me të majtën që synon prej vitesh pushtetin. Ashtu si në Hungari, ku lidhjet e njohja me Orban apo edhe komisionerin e tij në Bruksel Varheleyi, nuk janë penguar nga armiqësia e vjetër e kryeministrit të Hungarisë me miliarderin e majtë Soros, edhe ky mik historik i Ramës.
Harta e miqësive dhe lobimit të Edi Ramës nuk i bindet asnjë trajektoreje ideologjike, por thjesht dhe vetëm aftësive dhe nevojave të tij për t’u afruar me liderët politikë në momente dhe rrethana të caktuara, pavarësisht krahëve që ata përfaqësojnë.
Në mesin e krizës së Covid, Rama mundi të marrë nga ministri i jashtëm i kohës Di Maio, një çantë me vaksina për të nisur sezonin e vaksinimit. Me ikjen e të majtës italiane nga pushteti ai gjeti akses dhe njohje tek qeveria “fashisto-legiste” e Melonit. Aq sa i shkopi kryeministres italiane edhe si i ftuar në manifestimin e të djathtës në Atreju (duke bërë që majtas të rrudhen shumë buzë). Socialisti shqiptar Rama as që i kalkulon dhe as i hyjnë në punë kostot elektorale që marrëveshja e tij e Gjadrit me Melonin, mund të shkaktojë tek opozita e majtë italiane në prag të zgjedhjeve evropiane të qershorit. Në këtë rast ai po sillet si një politikan pragmatist i thekur që shikon interesin e vendit të tij, e jo rreshtimet apo solidaritetin ideologjik me të majtën italiane.
Kjo sjellje ka prodhuar në një dekadë drejtimi të qeverisë, një konjukturë ndërkombëtare për Edi Ramën që është pa dyshim për e mira që ka pasur ndonjëherë një shef i ekzekutivit në Shqipëri pas rënies së komunizmit. Është ky akses në qarqet politike në Evropë e jashtë saj, një pjesë e të cilave të qeverisura nga qeveritarë të djathtë, të cilat kompensojnë sot për Edi Ramën konsumin që ka nisur të ndjehet në qeverisjen brenda vendit.
E ndjejnë këtë më shumë se kushdo armiqtë politikë të tij në Tiranë, të cilët po hasen prej vitesh me dyer të mbyllura dhe indiferencë edhe kur bëjnë beteja politike të drejta kundër keqeverisjes e korrupsionit. Edi Rama e ka fortifikuar pozitën e tij ndërkombëtare duke shpërfillur rreshtimet dhe ngjyrat e ideologjive. Kjo lloj alkimie e vështirë në rrethana të tjera, i ka dhënë atij qetësi dhe vetësiguri drejt zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.
Ngjyrimi ideologjik merr në rastin e Edi Ramës, një dimension thjesht konvencional, një përkatësi rrethanore që ai e përdor kur i duhet, por që mund edhe ta hedhë në Lanë pa më të voglin hezitim kur nuk i bën punë. Shikoni Partinë Socialiste. Është kthyer në pedanën e pushtetit të Edi Ramës, ka spostuar edhe ngjyrat tradicionale të krahut ideologjik të cilit i përket dhe pasi ka larguar të gjithë gardën e vjetër të viteve ’90, ka rënë në duart e një brezi politikanësh të rinj, të cilët mund t’i vendosësh kudo në spektrin politik, majtas ose djathtas. Janë gjithçka, përveçse të majtë.
Në 11 vjet qeverisje është ruajtur guacka e partisë, me organizatat e rrjetin kapilar të anëtarëve e simpatizantëve, por vetëm në funksion të luftës për vota. “Detaje” të tilla si përkatësia ideologjike, fryma sociale e orientimi drejt politikave tipike për të majtën, janë një dekor që përdoret vetëm kur i leverdis lojës së pushtetit.
Vetë partia ka marrë fytyrën e Edi Ramës. Një parti elektorale, e fokusuar tek vota dhe fitorja në zgjedhje, më pak sesa tek ruajtja e disa sinoreve të ngjyrosura me bojë rozë. Dikur, kur ishte kryetar bashkie Edi Rama shprehej se nuk ka reforma të djathta ose të majta, ka vetëm reforma të domosdoshme. Kjo sintezë shpjegon ndër të tjera edhe pranverën aktuale në raportet me qeverinë e djathtë në Romë, pa u merakosur për dimrin që mbolli në të majtë. Aty ku quhet aleat vetëm me letra, e jo me vepra.