Luftoi për çlirimin, diktatura e pushkatoi, ‘Mirënjohje’, çamit Teme Sejko, i biri: Isha 12 vjeç, dëgjova ulërimën e mamasë, nuk kuptonim se ç’po ndodhte!

Luftoi për çlirimin, diktatura e pushkatoi, ‘Mirënjohje’, çamit Teme Sejko, i biri: Isha 12 vjeç, dëgjova ulërimën e mamasë, nuk kuptonim se ç’po ndodhte!

Në 80-vjetorin e gjenocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” nderoi këtë të enjte Teme Sejkon. Medalja e mirënjohjes iu dorëzua të birit, Rajmondit nga deputeti i PDIU, Shpëtim Idrizi.

“Kam qenë vetëm 12-vjeç kur babai u pushkatua, por e mbaj mend shumë mirë kur erdhën ata me kostum gri për të kontrolluar shtëpinë e gjyshit se gjoja do të gjenin gjë atje. Nuk po mernim vesh asgjë, vetëm kur dëgjoj ulërimën e mamasë. Më pas gjyshja na shpjegoi çka kishte ndodhur, por ne ende nuk e dinim se ç’do të ndodhte më tej” , tregon i biri Rajmond Sejko.

Me kontribut të veçantë në çlirimin e vendit, themelues i çetës Çamëria, ushtarak dhe komandant i flotës detare shqiptare dhe i bazës detare në Durrës, 63 vjet larg nga vdekja, kujtohet si figurë patriotike.

“Teme Sejko u bashkua me Luftën Nacional Çlirimtare, nga themeluesit e çetës “Çamëria” së bashku me 500 partizanë çam këtej dhe andej kufirit”, thotë deputeti i PDIU-së, Shpëtim Idrizi.

Sejko erdhi i rrëfyer edhe për kalvarin e vuajtjeve që pësoi gjatë diktaturës, bashkë me familjen e tij.

“U arrestua me një skenar ogurzi nga Sigurimi fameëkeq i shtetit pretendimin absurd se ishte bashkëpunëtor. Gjyqi ndaj Teme Sejkos u transmetua me autoparlante si nuk kishte ndodhur me asnjë komunitet në Shqipëri. Përveç Teme Sejkos që u eleminua, u dënua me internim e shoqja dhe dy djemtë 11 dhe 13 vjeç Dhe më vonë po me një gjyq fars i vritet djali Sokoli, ndërsa djali tjetër fatmirësisht mbijetoi “, tregon Liljan Idrizaj, kryetar i shoqatës “Çamëria”.

Shkrimtari dhe publicisti Ylli Polovina e ka përjetësuar historinë e kësaj familje në librin “Ringjallja e Sejkove”.

“Unë edhe Mondi kemi qenë shokë gjimnazi. Ishte ai që më zgjoi dëshirën që t’i hyj gjer në und kësaj çështjeje. Shpresa (e shoqja) dhe Teme janë bashkë, deri në madhështi”, thotë shkrimtari dhe publicisti Ylli Polovina.

Një sërë aktivitetesh të tjera do të mbahen në kuadër të 80-vjetorit të Gjenocidit Çam.