Oltsen Gripshi: Ekspozita “Liri përmes artit, liria përmes ëndrrës” është një ndër të vërtetat e shoqërisë shqiptare

Oltsen Gripshi: Ekspozita “Liri përmes artit, liria përmes ëndrrës” është një ndër të vërtetat e shoqërisë shqiptare

Nga SOT

Ekspozita “Liri përmes artit, liria përmes ëndrrës” u hap me punimet e të miturve të IM Kavajë, grave në IEVP “Ali Demi” dhe fëmijëve të qendrave ditore në të gjithë Shqipërinë. Ekspozita vjen e kuruar nga Ph. D. Oltsen Gripshi që shprehet se është një ekspozitë, e cila shpërfaq mendimet e gjithkujt që gjendet në këto institucione rehabilituese të një pjese të shoqërisë shqiptare. “Kjo ekspozitë është një ndër të vërtetat e shoqërisë shqiptare. Një ekspozitë, e cila bën bashkë përjetime, qasje, situata dhe gjendje të larmishme psikoshpirtërore, duke na bërë të reflektojmë mbi vlerën e jetës dhe të të jetuarit të saj”, thotë ai.

Punimet e realizuara me teknika të ndryshme artistike, nga pirografie e deri tek prodhimet artizanale na udhëheqin drejt një përmase, ku gjithkush gjen veten të materializuar në çdo punim artistik. Gripshi shprehet se jemi përballë një realiteti, ku duket se koha është ndalur së ecuri. Ekspozita e organizuar nga Caritas Albania – Shqiptar dhe Ministria e Drejtësisë u hap në Piramidën e Tiranës. Sipas kuratorit Gripshi, ekspozita shfaqet si një triumf mbi përvojën e një jete të jetuar, kryqëzimeve të fateve dhe të të parit përtej errësirës, ku shpeshherë vetë jeta na vendos në sprovë.

“Veprat e ekspozuara shfaqin subjekte të thjeshta në dukje, por shumë të thella për nga përmbajtja simbolike, sepse nën petkun e tyre fshihen lotët e pendesës së një nëne për bijtë e saj, që e presin jashtë nën mburojën e kaltërsisë së qiellit pa kufij. Të një djaloshi, apo vajze që rastësia i takoi me pabesinë e fatit të tyre, apo të shumë grave të tjera, jeta e të cilave nuk njohu asnjëherë shkëlqimin e asaj çfarë në të vërtetë një grua përfaqëson, për vetë ekzistencën e vijueshmërisë së jetës. Gra të dhunuara, të poshtëruara e të braktisura udhëve të zbrazëta të meshkujve, të cilët harrojnë se dora e vënë mbi një grua, është dora e vënë mbi burimin e jetës. Ekspozita e fton publikun të prekë nga afër dhimbjen dhe përjetimet e këtyre individëve, gjë, e cila mishërohet në imazhin e duarve të shtrënguara fort me rruzaren e Kryqit të Shenjtë mes tyre. Një simbolikë kuptimplotë që i mbush ata plot shpresë për të tashmen e ngujuar dhe të ardhmen e paqartë”, thotë më tej Gripshi.

Ekspozita sipas tij është e ndërtuar në mënyrë të atillë, ku çdo vepër e realizuar nga personat që gjenden në institucionet e vuajtjes së dënimit IEVP “Ali Demi” dhe IM Kavajë, shpreh dhe përcjell tek publiku përjetimin e gjithkujt brenda këtyre dy institucioneve.