Rastet e mosdeklarimit të vlerave monetare u dyfishuan në vitin 2023. Sipas një raporti të Doganës Shqiptare, publikuar sot (8 mars) janë dyfishuar edhe shumat financiare të sekuestruara, krahasuar me vitin paraardhës.
Konkretisht gjatë vitit 2023 janë detektuar 73 raste të mos-deklarimit të vlerave monetare në kufi (44 raste në hyrje dhe 29 raste në dalje) duke patur një rritje të kapjeve krahasuar me 37 raste të vitit 2022 (28 raste në hyrje dhe 9 raste në dalje).
Degët doganore ku janë evidentuar rastet më të shpeshta të mos deklarimit të parave janë Rinasi, Durrësi, Kakavija, Morina.
– Vlerat totale të sekuestruar në 2023 të krahasuara me 2022 janë:
EUR 2.026.700 në 2023 – 1.301.349 në 2022
GBP 452.770 në 2023 – GBP 164.790 në 2022
USD 165.680 në 2023 – Nuk ka patur në 2022
CHF 47.480 në 2023 – Nuk ka patur në 2022
Nga viti 2018, ligji shqiptar parashikon se të gjithë personat që hyjnë ose dalin nga territori i Shqipërisë janë të detyruar të deklarojnë në doganat në kufi shumën mbi 10 mijë euro ose vlerën e njejte te saj në monedha të tjera.
Gjetje të tjera të raportit
– Në kuadër të parandalimit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit në sistemin doganor, bazuar në treguesit e aktivitetit të dyshimtë, gjatë vitit 2023 janë dërguar 19 Raste pranë Agjencisë së Inteligjencës Financiare për hetim të mëtejshëm.
– Në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë janë zhvilluar 8 operacione në degët doganore kufitare, nga të cilat 6 operacione organizuar nga EU4FOCAL “Action Days, në bashkëpunim me Guardia di Finanza dhe Departamentin e Policisë kufitare; 1 operacion rajonal “CLAUDIUS II” organizuar nga HMRC në bashkëpunim me administratat doganore rajonale; 1 operacion “DEMETER IX” organizuar nga WCO-OBD
– Grupet Operative Antitrafik gjatë 2023 kanë kryer në total 1840 kontrolle në degë të ndryshme doganore kufitare të cilat kanë rezultuar me kapje të parasë “cash” të padeklaruar. Në rastet kur janë evidentuar mallra me natyrë tregtare, ato i janë referuar degëve doganore për ndjekjen e procedurave.
– Njësia e Informacionit të Pasagjerit ALPIU, nëpërmjet sistemit ATSG ka shënjestruar 794 shtetas me qëllim kontrollin dhe parandalimin e veprimtarive së paligjshme të cilat mund të zhvillohen nëpërmjet kalimit të kufirit shtetëror të Republikës së Shqipërisë.