Turistët vazhdojnë të rezervojnë fluturime pavarësisht inflacionit. Megjithatë, destinacionet ku ata drejtohen mund të jenë të ndryshme, shkruan Elizabeth Casolo në një artikull të botuar në revistën amerikane “Skift”.
Kur planifikoni pushime verore në Evropë, destinacionet që ju vijnë në mendje janë Italia dhe Greqia.
Por, turistët po shkojnë drejt vendeve të tjera që ofrojnë lehtësira të ngjashme me çmime më të ulëta.
Raporti për “Tendencat e Udhëtimeve 2024”, i publikuar nga “Mastercard”, tregoi një rritje të trafikut ajror dhe qëndrime më të gjata në disa destinacione më të lira, duke përfshirë Shqipërinë.
“Njerëzit po mendojnë se si mund të vazhdojnë udhëtimet dhe t’i shijojnë këto përvoja brenda buxhetit të tyre”, tha kryeekonomistja e “Mastercard”, Michelle Meyer.
Shqipëria është një destinacion miqësor me buxhetin.
Vendi mesdhetar ka regjistruar një rritje prej 141% të trafikut ditor të fluturimeve që nga viti 2019.
Kryeqyteti shqiptar, Tirana, po dëshmon një rritje të rezervimeve të fluturimeve krahasuar me nivelet e para pandemisë.
Sipas raportit të “Mastercard” Shqipëria është një nga destinacionet verore në trend të këtij viti.
“Shqipëria ka një potencial të konsiderueshëm në zhvillimin e turizmit. Rritja e numrit të fluturimeve është gjithashtu një përpjekje për të mbështetur një rritje më të madhe ekonomike”, tha Meyer për popullaritetin e Shqipërisë. ATSH