Nga Çapajev Gjokutaj
Javën që kaloi, në një apo dy media “online”, më saktë në katakombet e tyre, d.m.th në pjesën e rezervuar për komente anonimësh, u zhvillua një farë diskutimi për Laskarina Bubulinën, heroinën greke me origjinë arbërore. Diskutohej përkatësia e saj, arvanitase apo greke, ua dhamë fqinjëve jugorë apo na e rrëmbyen etj., etj., gjëra të këtij lloji, që zakonisht nga anonimët e mediave “online” përcillen me shumë emocion dhe pak logjikë, me sharje, kërcënime, përbetime e të tjera qasje tribale të këtij lloji.
Që një grup krejt heterogjen njerëzish të arrijë të diskutojë sidokudo dhe me njëfarë frytshmërie për personalitete të tilla, duhet që paraprakisht të bien dakord për kë do të diskutojnë, për personazhin real historik apo për heroin, në rastin tonë: për Bubulinën apo për heroinën që është krijuar mbështetur në jetën dhe bëmat e saj. Stërhollime dhe sofizma intelektualësh, do të thoshte shumëkush, por kushdo që ka njohuri sado të pakta nga teoritë e pasqyrimit e të riprodhimit e di se heronjtë janë konstrukte sociale, që do të thotë se ata janë individë, të cilët një shoqëri zgjedh t’i lartësojë si burime frymëzimi dhe admirimi.
Natyrisht këto konstrukte ngrihen mbi persona dhe ngjarje realhistorike, por procesi i sendërtimit të tyre përfshin një përzierje të saktësisë faktike, idealizimit, interpretimit etj.. Heronjtë krijohen e riprodhohen jo për hir të historisë, po për hir të së sotmes, prej personit real merren tipare që i shërbejnë aktualitetit apo interesave të kësaj apo asaj pale dhe lihen mënjanë të tjera, që mund të krijojnë pështjellim a të prishin punë. Duke konstruktuar e rikonstruktuar Bubulinën si heroinë të revolucionit grek, fqinjët tanë jugorë nuk kanë qenë të interesuar të theksojnë origjinat e saj, as të humbasin në morinë e hamendjeve sesi vetndihej ajo, ç’identitete njihte si të vetat: arvanitase, greke, ortodokse, vllahe, nënshtetase otomane etj. etj.
Heroina e krijuar prej grekëve, (jo Bubulina reale që mund t’i ketë njohur e pranuar disa nga identitet që porsa përmendëm) duhej të ishte dhe është puro greke, madje shumë më greke sesa grekët e zakonshëm, që për dy shekuj e kanë mbajtur gjallë në kulturën e tyre. E përsëris jo se kështu ndihej vërtet, po se kështu e donin dhe e duan interesat shoqërore e politike të ditës, dekadës a shekullit. Epo mirë, mund të thotë shumëkush, Bubulina e konstruktuar prej fqinjëve tanë jugorë ka identitet puro grek, Bubulina e konstruktuar prej nesh ka identitet arvanitas që e lidh me trojet arbërore ku jetonin stërgjyshërit e saj, pra edhe me ne shqiptarët e sotëm. Edhe kështu mund të jetë, vetëm se heroina jonë, ajo me identitet arvanitas, është shumë më e zbehtë sesa heroina që kanë konstruktuar grekët.
Kjo jona ekziston dhe riprodhohet në disa studime njerëzish patriotë dhe dijetarë të ndershëm dhe prej andej na viziton jo dhe aq shpesh, për të mos thënë rrallë, vetëm kur njërit apo tjetrit i duhet të ndërtojë narrativa të tipit: revolucionin grek e bënë shqiptarët, gratë tona janë burrëresha, pse shqiptarët bëhen të shquar në dhera të tjera kurse këtu mbeten mediokër e brekëgrisur etj. Mund të rendisësh edhe të tjera narrativa të këtij lloji, por pothuajse të gjitha të kujtojnë fishekzjarrët që hidhen një herë në mot.
Tjetër gjë kanë bërë grekët me Bubulinën e tyre. Kanë dy shekuj që në mënyrë të vazhdueshme e thuajse të përditshme e mbajnë të gjallë mes të gjallëve. Shteti grek i ka dhënë gradën e kundëradmiralit, duke e bërë gruan e vetme në botë që mban këtë gradë. Të bën përshtypje se ky gradim është bërë para 6 vjetër, më 2018 dhe vetëkuptohet se nuk është bërë për Bubulinën, as për pasardhësit e saj, as thjesht për të rritur krenarinë e grekëve bashkëkohorë, por është bërë edhe (apo sidomos) për interesa biznesi që lidhen me turizmin dhe flotën, dy nga industritë më të mëdha të fqinjit tonë jugor. Irenë Papas e ka përjetësuar në filmin ‘Bouboulina’ prodhim i vitit 1959, kurse para dy dekadash tërhoqi vëmendjen një dokumentar i goditur për të. Para daljes së euros e hasje portretin e saj në disa prerje të dhrahmisë greke. Në vise të ndryshme të Greqisë has shtatore e sidomos buste të saj, ashtu siç ka dy a tre muze, dhjetëra vepra letrare, jeta dhe bëmat e saj janë bërë prej kohësh pjesë e kurikulave shkollore, shëmbëlltyra e saj të shfaqet jo rrallë në murale, kur viziton Greqinë etj., etj.
Kjo diferenca mes asaj që bëjmë ne për Bubulinën tonë dhe asaj që kanë bërë e bëjnë grekët për të tyren të kujton anekdotën e atyre dy fqinjëve, që pasi gjetën një thesar nën gardhin që ndante bahçet e tyre, e ndanë në dy pjesë të barabarta, por të barabartë nuk u bënë se njeri e investoi në disa sipërmarrje, kurse tjetri e mbylli në qyp dhe e fshehu diku në haur. I pari e shtoi pjesën që i ra, i dyti e pakësoi me kalimin e kohës se sa herë kishte nevojë merrte disa florinj nga qypi thjesht për të shlyer shpenzimet.
Çdo metaforë çalon, përfshi dhe këtë të qypit, ndaj shumëkush mund të hidhej e të thoshte se grekët kanë investuar e investojnë kaq shumë në krijimin dhe qarkullimin e Bubulinës, ngaqë bëmat e saj, përpjekjet dhe sakrificat që bëri, kanë qenë në dobi të Greqisë. Dhe kjo tingëllon e vërtetë po problemi ynë me Bubulinën do parë si simptomë e një sëmundjeje a dukurie më të gjerë.
Si shpjegohet që sot e kësaj dite nuk kemi një panteon me heronj të pranuar thuajse nga gjithë shqiptarët këtu në trojet amtare a në diasporë. Ç’emër t’i vësh faktit që edhe për kryeheroin e kombit tonë, Skënderbeun, po bëhen përherë më të pranishme në rrjete sociale dhe më gjerë dilema të tipit: ishte kështjellar i qytetërimit perëndimor dhe kalorës i krishterimit, apo ishte sahanlëpirës i venetikasve dhe bukëshkalë i sulltanëve osmanë? Të tilla teza paçka se nuk kanë asnjë vlerë shkencore dhe mbase edhe kulturore, paçka se nuk prekin asnjë fije floku të kryeheroit, dëshmojnë se kohezionin kombëtar nuk e kemi dhe aq rozë sa e pandehim. Por në të njëjtën kohë dëshmojnë se duhen strategji e politika shumë më të përpunuara e largpamëse, që shohin në të sotmen, të nesërmen e të pasnesërmen e zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare.