Debati i nxehtë i ditëve të fundit për martesën e dy grave në tarracën e Bashkisë të Tiranës, ngjalli një sërë reagimesh në media dhe rrjetet sociale, duke e komentuar aktin homoseksual si shthurje dhe degjenerim, por spektri i personazheve publik dhe me emër, nuk ishte vetëm mohues. Poetja e njohur Rita Petro, ndau një këndvështrim poetik të vjetër të sajin, në lidhje me këtë formë të dashurisë.
Më ka interesuar përherë kjo temë në artin tim në poezi dhe prozë… ka aq shumë nuanca në marrëdhëniet mes femrave me njëra-tjetrën… e kanë origjinën që në fillesa, antikitet e, normal deri më sot. Duam apo s’duam ne, bota rrotullohet…
Nepërkat e zjarrta
Ti zhvishesh pa teklif
Meqë dhe unë jam grua,
Por që s’kam guxim të të shoh
Përveçse me bisht të syrit.
Unë dhe ti grua
Ia dimë mirë të fshehtat
Njëra-tjetrës,
Madje dhe vendet e tendosura
Si tela kitare,
Më mirë
Se kushdo burrë qoftë.
Të ftoj mikja ime,
Shëmbëllimi im i përsosur,
Eja të kërcejmë vallen e vdekjes
Mbi kurrizin e demave…
A e ndien si ringjallen
Nepërkat e zjarrta
Brenda trupave tanë?!
Ndërsa burrat
Pasi të munden
Do të na shajnë lesbike.
Nga “Shija e instinktit”; 1998; botoi Toena