Të ftuara në emisionin e mëngjesit “Rreze Dielli” në Report TV, me moderatore Androniki Kolka, ishin Profesoresha e Juridikut në Universitetin e Prishtinës, Donikë Qerimi dhe studentja Morea Pula. Së bashku, ato folën për një garë ligjore ku studentët kosovarë të Fakultetit Juridik të Prishtinës kanë shënuar një sukses historik! Ata janë vlerësuar së fundmi si ndër më të mirët në botë, mes shumë Universiteteve të njohur, në garën botërore “Willem C Vis International Arbitration Moot”.
“Videon e kam parë disa herë dhe ende emocionohem kur e shoh” tha Profesoreshë Donikë Qerimi, ndërsa Morea tregoi se kjo ishte një garë për arbitrazh dhe të drejtën private ndërkombëtare. Konkursi i realizuar në Vjenë të Austrisë, ishte një arritje profesionale për ta, pasi në garë ishin universitetet e drejtësisë më me emër nga Harvard, Oxford apo Cambridge. Falë këmbënguljes dhe përkushtimit, studentët mundën të shkonin deri në gjysmëfinale, duke na bërë të gjithëve shumë krenarë.
“Konkursi kishte të bënte me çështje të shitblerjes ndërkombëtare dhe ekipi ynë u përfaqësua me disa studentë ekselentë që dolën faqebardhë” shtoi Morena në lidhje direkte nga Prishtina. Ky konkurs ndërkombëtar është cilësuar si eventi më i rëndësishëm akademik në nivele elitare në fushën ligjore.
“Ne kishim nisur përgatitjet për këtë garë 8 muaj më parë, ndërsa u shpërblyem për mundin tonë pas gjithë kësaj pune të palodhshme” shtoi Morea.
Nga 364 universitete në botë, studentët e Universitetit të Prishtinës kanë arritur të renditen të tretët, ndërsa lajmin nuk ka nguruar t’a postojë me krenari, në rrjetet e saj sociale dhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ku shkruante:
“Sukses historik! Në garë me gati 400 Universitete, ekipi i fakultetit juridik të Universitetit të Prishtinës, arriti në top 3-shen më të mirë në botë!Këto vajza e djem nga Kosova kanë lënë prapa Universitete si Harvardi, Yale, Stanford, Columbia, Oxford, Cambridge, Princeton, Duke, LSE, e qindra universitete të tjera në garën më prestigjoze të drejtësisë, Willem C Vis. Ata po ashtu fituan çmim të veçantë për Memorandumin për palën e paditur. Ky ekip këtu në foto dëshmon se vetëm me punë e përkushtim arrihet gjithçka. Krenare sa më ska!Bravo studentëve Ariana Rexha, Dea Fetiu, Morea Pula, Melisë Sejdiu, Nol Musa, Rea Hadri, si dhe Trajnerët: Prof. Donikë Qerimi, Ilir Hajraj dhe Art Sylaj”.
“Willem C Vis International Arbitration Moot” është garë e arbitrazhit ndërkombëtarë komercial dhe vlerësohet si gara më e madhe e drejtësisë në botë, nga ku dalin emrat më premtues të Drejtësisë Europiane, të cilët më pas zakonisht punësohen në institucionet e Bashkimit Europian në sferën ligjore.