Armando Broja pritet të largohet nga Chelsea këtë verë, paçka se ka kontratë deri në verën e 2028 me Blutë e Londrës. Sulmuesi shqiptar do largohet nga “Stamford Bridge”, por me shumë gjasë mund të qëndrojë sërish në kryeqytetin e Anglisë, kjo pasi është West Ham që ka interes të shtuar për 22-vjeçarin shqiptar.
“Daily Mirror” nga ishulli bën me dije se Broja është një nga gjashtë objektivat e drejtorit teknik Tim Steidten, i cili po punon së bashku me trajnerin e ri Julen Lopetegiu për të formuar një ekip të ri pas përfundimit të epokës së David Moyes.
Nëse pak javë më parë interes për Brojën kishte edhe Dortmund, futja në garë e West Ham mund të bëjë që Broja të qëndrojë në Premier League dhe në Londër, duke qenë se është një kampionat ku ai e njeh dhe nuk do i duhej të përshtatej.