Rikthehet kryevepra e Puccini-t, ‘Madama Butterfly’, pas më shumë se një dekade, si një produksion i ri i i “Festival Puccini di Torre di Lago”, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës.
“Madama Butterfly” vjen në TKOB në datat 26, 27, 28, 30 maj dhe 1 qershor ora 20:00. Biletat mund t’i merrni çdo ditë pranë biletarisë së TKOB-së nga ora 10:00-14:00 dhe 16:00-19:30.
Madam Butterfly, opera e kompozitorit Giacomo Puccini, zhvillohet në tre akte. Dedikuar Mbretëreshës së Italisë Elena Montenegro, u shfaq për herë të parë në Teatro alla Scala në Milano, më 17 shkurt 1904, me rastin e sezonit të Karnavaleve të Kreshmës.
Puccini zgjodhi subjektin e operës pasi në qershorin e vitit 1900 në Londër, pa tragjedinë me të njëjtin titull (Madame Butterfly), nga David Velasco. Një vit më pas filloi kompozimin, por gjeneza e kësaj vepre pësoi disa ndërprerje. Në vitin 1902 Puccini filloi orkestrimin, të cilin e përfundoi në shtator të vitit në vijim: vetëm në 1903-in, opera mundi të konsiderohej si e përfunduar.
Pas dështimit në Milano, autori vendosi të tërheqë partiturat dhe t’i rishikojë ato. Ai vendosi të eliminoje disa detaje dhe modifikojë disa skena, për t’i dhuruar më shumë zhdërvjelltësi.
Opera rrëfen për Pinkertonin, një oficer i Marinës Amerikane, i cili gjatë qëndrimit të tij në Nagasaki, martohet me Cio-cio-san, një pesëmbëdhjetëvjeçare: ai është tenori, ndërsa ajo sopranoja. Oficeri e sheh martesën si një lojë, ndërsa Butterfly ka rënë krejtësisht në dashuri me të: kur ai kthehet në Amerikë, megjithatë, ajo nuk merr më lajme prej tij.
E djegur nga zjarri i dashurisë, Cio-cio-san pret kthimin e të dashurit plot besim dhe shpresë, së bashku me fëmijën e lindur nga martesa e tyre dhe, nga respekti për atë çfarë ishte dhe atë çfarë ndjen, refuzon çdo pretendent tjetër. Sidoqoftë, për ta lehtësuar në zhgënjimin e saj, konsulli Sharpless (bariton) shkon tek ajo për t’i lexuar një letër të dërguar nga vetë Pinkertoni, ku oficeri amerikan lajmëron kthimin e tij në Nagasaki, së bashku me bashkëshorten, Kate.
Por leximi i letrës ndërpritet nga Butterfly, e cila vazhdon të besojë tek kthimi i bashkëshortit. Gjatë kësaj skene, një e shtënë topi njofton mbërritjen e një luftanijeje dhe Pinkertoni, i ardhur së bashku me Kate për të marrë fëmijën, zbret prej andej. E përballur me këtë fakt, Butterfly kupton se ka jetuar një iluzion tejet të gjatë dhe pasi puth të birin, vret veten me një kamë në gjoks, duke bërë Harakiri. Pinkertoni, megjithatë, në një moment të caktuar, do të tronditet nga pendimi dhe do të kthehet tek Cio-cio-san: gjithsesi, është tepër vonë, sepse ajo tashmë ka ndërruar jetë.