Qendrat e (sh)kujdesit ndaj të moshuarve

Qendrat e (sh)kujdesit ndaj të moshuarve

Nga Bledar Zaganjori & Ilir Karabrahimi

Investigim i Investigative Network Albania

Të moshuarit e akomoduar në azile shtyjnë ditët e fundit të jetës në kushte të papërshtatshme, në mungesë kujdesi nga mjekët e specializuar dhe pa asnjë program social, ditor. Asnjë nga 21 shtëpitë private të të moshuarve nuk është legalizuar apo certifikuar nga autoritetet, që e “pasojnë” përgjegjësinë te njëri-tjetri. Personeli përdor “qetësuesit” nervorë për të “amortizuar” ankesat dhe për të shtuar orët e gjumit.

Në periferi të kryeqytetit, në një rrugicë të ngushtë, rrethuar nga shtëpi private, në afërsi të varrezave të Tufinës, mund të jetë një vend ideal për të jetuar në paqe, sidomos për ata që nuk e duan zhurmën dhe kaosin e Tiranës, një qytet në rritje dhe në zhvillim herë kaotik e herë të strukturuar; një strehëz për ata që shumicën e jetës e kanë hedhur pas krahëve dhe që duan një vend për t`i jetuar në paqe vitet që iu kanë mbetur. Pikërisht në këtë zonë ndodhet një ndërtesë e hirtë, trekatëshe, që shërben si azil privat, i njohur për të ofruar mbështetje dhe kujdes për të moshuarit.

Ermela Agolli është një 36-vjeçare nga Tirana. Ajo ka punuar si infermiere pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Prej disa muajsh ka siguruar një kontratë dhe vizë pune në shtetin gjerman. Ermela thotë se vendimi për të emigruar ka qenë një zgjedhje e detyruar, por e vështirë, për shkak se asaj i duhet të kujdeset edhe për gjyshen e saj, e cila i ka kapërcyer të tetëdhjetat.

“Kam ardhur të regjistroj gjyshen përkohësisht në këtë azil privat, pasi më në fund më doli viza dhe do largohem në Gjermani”, – shprehet e reja nga Tirana, teksa pret me dokumente në dorë administratoren e azilit privat.

Ermela nuk ka mundur ta regjistrojë familjaren e saj në një azil publik, për shkak të kërkesës së lartë dhe numrit të ulët të kapaciteteve që kanë azilet publike.

“Gjyshja nuk mund të regjistrohet në azil publik, sepse ka në zotërim banesën ku jetojmë dhe ligji nuk ia jep këtë të drejtë”, – shton më tej Ermela nga Tirana.

Krahas azileve shtetërore, që sikundër shumë shërbime të tjera, një mundësi e re, e krijuar dhjetë vitet e fundit, ishte ajo e azileve private. Fëmijët apo familjarët, të cilët për arsye pune dhe pengesa të tjera, që ofron jeta në shoqërinë tonë, e kanë të pamundur të kujdesen për prindërit apo të afërmit e tyre, paguajnë që këtë gjë ta bëjnë stafe të specializuara.

“Në Republikën e Shqipërisë janë 6 gjashtë Institucione Rezidenciale, Publike, ku marrin shërbim 319 të moshuar dhe dy Qendra Polivalente, Ditore, Publike me 82 të moshuar”, – thuhet në përgjigjen e dhënë nga Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale.

Ndërsa për cilësinë e shërbimit dhe problematikat që kanë këto qendra publike, ministria nënvizon mungesën e stafeve të specializuara për ta ofruar këtë shërbim ndaj të moshuarve.

Jo vetëm kaq. Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), në një raport të publikuar në dhjetor të vitit 2023, konkludon se, kushtet aktuale në rezidencat për të moshuar nuk i plotësojnë nevojat e të moshuarve sipas standardeve të shërbimeve të përkujdesit shoqëror për të moshuarit që jetojnë në qendrat rezidenciale, publike.

KLSH rekomandon përmirësim të menjëhershëm të kujdesit shëndetësor, që të moshuarit duhet të marrin në këto qendra rezidenciale.

“Në Institucionet Rezidenciale për të Moshuar nuk zbatohet asnjë program, i cili parashikon ekzaminimin dhe kryerjen e vizitave apo konsultave periodike nga mjekë specialistë, sipas nevojave të të moshuarve.”

Ndërsa raporton edhe për mungesë të automjeteve, që duhet t`i disponojnë këto rezidenca në situata të urgjencave shëndetësore, KLSH ngre edhe një tjetër shqetësim në lidhje me shëndetin mendor të të moshuarve.

“Pavarësisht problematikave të shëndetit mendor, që paraqet një pjesë dërrmuese e të moshuarve të akomoduar në institucionet rezidenciale, kjo kategori të moshuarish akomodohet në të njëjtat ambiente me të moshuarit e tjerë në qendrat rezidenciale dhe për trajtimin e tyre nuk është angazhuar asnjë mjek psikiatër në asnjë prej IR-ve publike”, – thuhet në raportin e KLSH.

Pikërisht në këtë raport-auditimi prej 40 faqesh, KLSH konstaton edhe mungesën e personelit të kualifikuar për kryerjen e shërbimeve dhe mungesën e certifikimit të kualifikimit të vazhdueshëm të personelit.

Pas një periudhe transformimi demografik që ka ndodhur në vendin tonë, si dhe për shkak të rënies së fertilitetit dhe rritjes së emigracionit, Shqipëria ka filluar të përjetojë efektet e moshimit të popullatës.

Sipas INSTAT-it, në vitet `90 mosha mbi 65 vjeç përbënte rreth 3.5% të popullsisë, ndërkohë që sot ka arritur në 13% të saj. Për pasojë, numri i personave të moshuar është rritur me disa herë. Gjithashtu, si pasojë e situatës së krijuar në tri dekada, por veçanërisht dhjetë vitet e fundit, në Shqipëri kanë lulëzuar edhe qendrat private, që ofrojnë shërbim përkujdesjeje për të moshuarit.

E gjithë kjo sa iu përket azileve publike, që ndodhen në Tiranë, në Kavajë, në Gjirokastër, në Fier, në Poliçan dhe në Shkodër. Nga ana tjetër, nga harta e shërbimeve shoqërore, që disponon Ministria e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale, rezulton se janë 21 institucione rezidenciale, jopublike për të moshuar në Republikën e Shqipërisë.

Azilet private, të pacertifikuara

Në kahun tjetër të kryeqytetit, në një lagje të qetë të Tiranës, që lidh Saukun me unazën lindore, ngrihet një tjetër strukturë akomoduese, edhe kjo e njohur për të ofruar mbështetje dhe kujdes për të moshuarit. Në pamje të parë duket si një shtëpi e zakontë, private, e rrethuar me mure të lartë, që të krijojnë përshtypjen e një rezidence të rëndësisë së veçantë, që ruhet me kamera. Por, në fakt, nuk është asgjë më shumë sesa një godinë, brenda së cilës kalojnë ditët e mbetura rreth njëzet të moshuar të kategorive dhe problematikave të shumta.

Historia e një banori të kësaj qendre po hedh dritë mbi një realitet të hidhur, që lidhet me trajtimin e të moshuarve në këto azile.

Historia e Gjergjit është një rrëfim i prekshëm dhe emocionues, që ngre dyshime se ç’mund të ndodhë, kur përgjegjësia dhe kujdesi ndaj të moshuarve në azilet private nuk ndiqet në standardet e duhura.

“Babai im nuk ka vuajtur kurrë nga çrregullimet mendore, por ai po merr ilaçe dhe unë nuk jam vënë në dijeni. Jam rikthyer pas dy muajsh për ta vizituar babanë dhe në komodinën e tij gjeta pakon me ilaçe skizofrenie”. Kështu e nis bisedën Entela Deçka, tashmë emigrante në Gjermani, e cila është kthyer përkohësisht në vendlindje për t’i ardhur në ndihmë të atit.

Ajo thotë se historia fillon në nëntor të vitit 2022, me ardhjen e Gjergjit në azilin privat, në Tiranë. Familjarët e tij nuk mund të kujdeseshin për të, pasi kanë emigruar prej vitesh në Itali e në Gjermani. Vetmia dhe gjendja shëndetësore e babait i detyroi që të kërkonin ndihmë dhe strehim në një qendër të specializuar për të moshuarit.

“Im atë pësoi trombozë në këmbën e majtë dhe ka qëndruar disa muaj në spital. Më pas, mua më duhej të kthehesha në vendin ku jetoj dhe punoj. Bashkë me tim shoq në internet gjetëm këtë azilin privat, që ofron edhe shërbim të specializuar”, – vijon bisedën vajza e Gjergjit.

Pasi menduan se e kishin sqaruar gjendjen shëndetësore, nevojat për shërbim dhe kujdes, ata e sistemuan të moshuarin në këtë azil. Por, teksa mendonin se problemet më të mëdha i moshuari mund t’i kishte për shkak të trombozës së pësuar kohë më parë, ata u gjenden përballë një surprize të pakëndshme, kur mësuan se ai po trajtohej edhe me barna për skizofreninë. Të afërmit e Gjergjit tregojnë se ai nuk ka vuajtur ndonjëherë nga ndonjë sëmundje mendore apo çrregullime të tjera, psikologjike.

“Ai është 76 vjeç dhe kurrë nuk ka shfaqur probleme me personalitetin. Nuk mund të trajtohet me ilaçe të tilla pa një vizitë të specializuar”, – shprehet Entela Deçka.

E shqetësuar për trajtimin e tij, ajo shton se ka komunikuar vazhdimisht me pronaren e azilit dhe është përpjekur që të sigurojë prej tyre raporte të vizitave mjekësore, analiza shëndetësore dhe dokumente, që konfirmojnë nga ana e azilit në fjalë nevojën për trajtimin me medikamente për çrregullime skizofrenie.

“Unë nuk kam paguar asnjë faturë të vizitave të mjekut psikiatër, ashtu siç kam paguar për seancat fizioterapeutike. Kjo do të thotë se ai kurrë nuk është vizituar nga një neuropsikiatër, madje i kam kërkuar edhe emrin e mjekut, që e ka vizituar”, – shton më tej Entela, vajza e Gjergjit.

Dëshmi: Medikament Treana, 10 mg, pranë shtratit, siguruar rastësisht nga familjarët

Me gjithë kërkesat e vazhdueshme për t’u informuar mbi ecurinë shëndetësore të babait, Entela thotë se ka hasur në refuzimin e vazhdueshëm dhe në mungesë transparence nga pronarja e azilit privat, edhe pse ka kërkuar t’i vihen në dispozicion të gjitha raportet dhe shënimet e mjekëve, që e kanë vizituar babanë e saj.

“Sa herë që e pyes, përgjigjja e saj është se ajo i mbulon të gjitha detyrat e mjekut, të infermierit dhe të psikologut dhe se informacioni është nën kontrollin e saj”, – shton Entela.

Duke marrë shkas nga kjo ngjarje, INA Media iu drejtua Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale përmes kërkesës për informacion, për të kuptuar më shumë në lidhje me cilësinë e shërbimit, që ofrohet dhe mbi kontrollin ndaj qendrave jopublike.

“Shërbimi Social, Shtetëror, në zbatim të ligjit 121/2016, monitoron vetëm Institucionet Publike, të financuara plotësisht apo pjesërisht nga buxheti i shtetit, për të moshuar”, – thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Më tej, Ministria e Shëndetësisë thotë se nuk e ka detyrim kontrollin e azileve private, prandaj në vijim të kërkesës për informacion pyesim mbi kriteret, që duhet të plotësojë një azil privat për t’u certifikuar.

“Nuk janë miratuar kriteret dhe nuk ka filluar ende procesi i certifikimit të qendrave të përkujdesit për të moshuar”, – nënvizon Ministria e Shëndetësisë dhe e Mbrojtjes Sociale.

Këto pak rreshta të përgjigjes zyrtare nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tregojnë se këto azile private janë në proces certifikimi. INA Media kërkoi të dhëna te një tjetër institucion shtetëror. Sipas Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, janë rreth 500 të moshuar rezidentë, që përfitojnë akomodim në struktura private.

Deri këtu kemi kuptuar se këto subjekte private, që ofrojnë shërbim akomodimi për të moshuarit, operojnë në bazë të një licence të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Inspektoratit të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore. Ndërsa presin dritën jeshile të certifikimit nga ana e ministrisë, shtohen dyshimet për cilësinë e shërbimeve që ofrojnë.

“Përveç hapësirave të mjediseve të përshtatshme, që i lehtësojnë të moshuarit në përmbushjen e nevojave të tyre, evidentohen edhe raste të mungesës së punonjësve socialë apo psikologëve”, – nënvizon Inspektorati Shtetëror i Punës dhe i Shërbimeve Shoqërore, mbi raportin e kryer për njësitë akomoduese, private.

Sa iu takon pretendimeve të familjarëve të Gjergjit për përdorimin e medikamentit Treana, mjekja psikiatre pranë Qendrës Komunitare të Shëndetit Mendor Nr. 3, Arjana Rreli, pohon rrezikshmërinë e lartë që shkaktojnë medikamente të tilla për grup-mosha të caktuara.

“Për shkak të efektivitetit modest dhe të efekteve anësore, që rrezikojnë pacientët, Olanzapine dhe Risperidone së pari duhet të jenë mjekime në trajtimin e të moshuarve, por duhet të përjashtohen, në rastet kur pacientët kanë problematika serioze të shëndetit”.

Sipas familjarëve të pacientit në fjalë, ai është trajtuar pranë QSUT-së për muaj me radhë nga një trombozë e venave të thella, që ndryshe njihet edhe si mpiksja e gjakut dhe kurrsesi nuk duhet trajtuar me medikamente të tilla.

Më tej, mjekja Arjana Rreli shton se këto mjekime nuk duhen përdorur në vazhdimësi, sepse krijojnë një rrezik serioz për jetën e këtyre pacientëve.

“Rastet, kur parashikohet të përdoren këto lloj medikamentesh, janë ato raste, që paraqesin rrezik serioz të dëmtimit fizik të personave, me të cilët këta të sëmurë jetojnë ose punojnë”.

Sipas familjarëve, për afro një vit të qëndrimit në këtë azil, Gjergji nuk ka mundur të lëvizë nga shtrati për shkak të trombozës dhe për pasojë nuk ka shfaqur asnjë rrezik për personat e tjerë të azilit.

Receta, që përshkruan medikamentin Treana 10 mg

INA Media ka siguruar recetën mjekësore, që është lëshuar për pacientin, në të cilën përshkruhet medikamenti, që trajton sëmundje të rënda të shëndetit mendor.

Sipas mjekes psikiatre, Arjana Rreli, janë një sërë faktorësh, që duhen vlerësuar, përpara se një pacient të trajtohet me medikamente të tilla.

“Duhet bërë edhe rivlerësimi i rregullt i terapisë. Së pari, duhet të konsiderohet mosha. Së dyti, sëmundjet e përgjithshme, që ka pacienti; së treti, statusi fizik, aktual; e së katërti, duhet parë, nëse kemi më shumë benefite apo dëmtime gjatë përdorimit të këtyre medikamenteve”, – shpjegon mjekja, Rreli.

Mjekja psikiatre liston edhe medikamentet me rrezikshmërinë më të lartë dhe efektin më të ulët, si dhe rëndësinë që kanë në dozimin e tyre te pacientët në moshë të madhe:

“Antipsikotiku Haloperidol është mjekimi me rrezikun më të lartë – me vdekshmëri, i ndjekur nga RisperidoneOlanzapine, acidi valproik dhe, në fund, Quetiapine”.

Në këtë situatë, sipas familjarëve, ilaçet antipsikotike janë përdorur për t`i mbajtur të qetë dhe për t`i mbajtur nën kontroll sjelljet e të moshuarve në azil, pavarësisht se ata nuk kanë diagnoza të një sëmundjeje psikopatie.

Për t`i vërtetuar pretendimet e familjes së Gjergjit, INA Media vizitoi godinën dykatëshe, ku janë akomoduar edhe rreth 20 të moshuar të tjerë.

“Janë edhe disa të moshuar të tjerë, që marrin qetësues. Nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Unë ua jap çdo darkë, pasi i qetëson dhe flenë më të qetë. T’i menaxhosh sjelljet e tyre, është e pamundur”, – na tha M.M. , administratorja e azilit privat.

Ne iu drejtuam edhe zyrtarisht azilit privat, për të mësuar më shumë rreth mënyrës se si sigurohen këto ilaçe, kushtet, që ofron kjo strukturë, si dhe rreth stafit që punon aty, por nuk morëm asnjë përgjigje.

Në lidhje me këtë pohim dhe faktin se këta të moshuar trajtohen me Olanzapine për të pasur një gjumë të qetë, specialistja Arjana Rreli e cilëson praktikë shqetësuese, pasi ilaçet antipsikotike përdoren për trajtimin e individëve me çrregullime të caktuara, mendore, siç mund të jetë edhe skizofrenia.

“Benzodiazepinat dhe opioidet japin përgjigje më të ekzagjeruara në sistemin nervor te moshat e mëdha dhe mund të japin efekte anësore, serioze, por edhe antipsikotikë të tjerë, si ClozapineLeponex, shkaktojnë probleme me gjakun, agranulocytosis dhe neutropeni”, – theksoi Rreli.

Specialistët pohojnë se medikamentet qetësuese duhen përjashtuar te pacientët që vuajnë nga një sëmundje tjetër.

Receta e mjekut vërteton se Gjergji është trajtuar me Treana 10 mg, një ilaç që përdoret për të trajtuar gjendje të rënduar, shëndetësore. Si çdo ilaç, Treana 10 mg mund të ketë efekte anësore dhe ndikime të ndryshme te pacientët.

“Konsiderohet shumë i rrezikshëm përdorimi i benzodiazepinave, ku hyjnë valiumi, lorani, ksanaksi, ndaj studiuesit shpesh rekomandojnë, që të shmangen benzodiazepinat në këto grup-mosha për shkak të rënies së funksioneve njohëse, riskut për pneumoni, për demencë, për fraktura, për shkak të reaksionit, që këto japin – deri në vdekshmëri”, – u shpreh Arjana Rreli, mjeke psikiatre.

Sipas specialistëve, është shumë e rëndësishme konsulta me mjekun për të diskutuar përfitimet dhe rreziqet e përdorimit të këtij ilaçi, si dhe për të marrë udhëzime të detajuara mbi dozën dhe frekuencën e përdorimit të tij. Gjithashtu, kujdesi mjekësor duhet të ndiqet gjatë përdorimit të Treana 10 mg. Pacientët duhet të ndjekin rekomandimet e mjekut dhe duhet të bëjnë kontrolle të rregullta, për t`u siguruar që ilaçi po vepron në mënyrën e duhur dhe nuk shkakton efekte të pakëndshme, anësore.

Familjarët e Gjergjit ngrenë një tjetër shqetësim rreth ushqimit që konsumohet në azil.

“Në çdo bisedë që kam me babanë në telefon, për çudi ai nuk e ka përmendur konsumimin e mishit, të frutave ose të perimeve, por në vend të tyre më ka përmendur vetëm çajin, kosin dhe djathin”.

Ky koment i vajzës së Gjergjit shton peshën në dyshimet dhe në shqetësimet rreth ushqimit dhe trajtimit të tij në azil. Madje, ajo shton se kequshqyerja dhe përdorimi i medikamenteve, që trajtojnë psikopatinë, kanë ndikuar në rëndimin e gjendjes së tij, shëndetësore.

Historia e Gjergjit është një skenar, që sugjeron shqetësime të thella rreth praktikave dhe transparencës në azilet private në Shqipëri.

Çështja e përdorimit të ilaçeve antipsikotike pa diagnoza të qarta dhe në kundërshtim me gjendjen shëndetësore të pacientëve është një sfidë serioze për kujdesin shëndetësor, mendor në vendin tonë.


Ky shkrim është pjesë e projektit që mbështetet financiarisht nga Zyra e Mardhënieve me Publikun e Ambasadës së SH.B.A. në Tiranë. Opinionet, gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e shprehura janë te autor-it/ve dhe nuk përfaqesojnë domosdoshmërisht ato të Departamentit të Shtetit.