Sot, ndërsa bota feston Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, zemrat tona janë të ndara midis gëzimit dhe dhimbjes. Kjo ditë, që duhet të jetë e mbushur me të qeshura dhe shpresë, njolloset nga ngjarje që godasin në zemër. Më kujtohet rasti i një fëmije 12-vjeçare të abuzuar kohë më parë. Është e pamundur të përshkruhet dhimbja që ndjej kur mendoj për të dhe për çdo fëmijë që përballet me një realitet të tillë të hidhur.
Imagjinoni për një moment atë vajzë. Ajo duhet të kishte zgjimin e saj me buzëqeshje, të përgatitej për një ditë plot me lojëra dhe festa, por në vend të kësaj, ajo u përball me një tmerr që asnjë fëmijë nuk duhet ta përjetojë kurrë. Çdo fëmijë meriton të jetë i sigurt, të ndihet i dashur dhe i mbrojtur. Si shoqëri, ne kemi dështuar të mbrojmë këtë engjëll dhe shumë të tjerë si ajo.
Kjo ngjarje tragjike është një thirrje për të gjithë ne. Nuk mjafton të mbështetemi vetëm tek institucionet sociale dhe shtetërore. Ne, si komunitet, si njerëz me zemër dhe ndërgjegje, duhet të veprojmë. Duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur fëmijët tanë, për të krijuar një botë ku asnjë fëmijë nuk duhet të frikësohet për sigurinë e tij.
Në këtë ditë, është e rëndësishme të reflektojmë edhe mbi sfidat e reja që fëmijët dhe të rinjtë përballen në epokën e teknologjisë. Interneti dhe rrjetet sociale kanë sjellë një ndryshim të madh në mënyrën si komunikojmë dhe ndajmë informacionin. Megjithatë, ato sjellin edhe rreziqe të reja. Frika se imazhi i tyre mund të bëhet virale në TikTok apo të shpërndahet pa pëlqimin e tyre është një realitet që ndjek shumë të rinj. Kjo frikë mund të shkaktojë ankth dhe pasiguri, duke ndikuar në shëndetin e tyre mendor.
Ne duhet të kërkojmë më shumë nga vetja jonë dhe nga institucionet tona. Ligjet duhet të jenë më të ashpra dhe të pandjeshme ndaj krimeve kundër fëmijëve, si dhe ndaj abuzimeve teknologjike. Abuzuesit duhet të përballen me drejtësinë pa mëshirë. Por ligjet vetë nuk mjaftojnë. Duhet të edukojmë fëmijët tanë për rreziqet që mund të hasin në internet dhe në rrugë. Ata duhet të dinë se çfarë është e gabuar dhe ku të kërkojnë ndihmë.
Shoqëria jonë duhet të jetë e ndjeshme dhe e gatshme për të vepruar. Fushatat e ndërgjegjësimit dhe programet edukative duhet të jenë të pranishme në çdo shkollë dhe komunitet. Një shoqëri e informuar është më e aftë të parandalojë dhe të reagojë ndaj abuzimit, qofshin ato fizike apo virtuale. Koha është e çmuar dhe reagimi i shpejtë mund të bëjë diferencën midis shpëtimit dhe tragjedisë.
Kjo Ditë nuk mund të jetë për instancat e pushtetit lokal, qendror dhe organizatat e shoqërisë civile vetëm një ditë organizimi festash. Duhet të jetë një ditë reflektimi mbi programet e mbështetjes së fëmijëve me nisma konkrete, si në familje ashtu edhe në shkollë.
Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, le të bëjmë më shumë se vetëm të festojmë. Le të angazhohemi për të krijuar një botë më të sigurt për ta. Çdo fëmijë meriton të rritet në një ambient të mbrojtur dhe të dashur. Le të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë për të siguruar që raste të tilla të mos përsëriten më kurrë.
Rasti tragjik që përmenda më parë është një kujtesë e fortë se sa të brishta janë “muret” që kemi vendosur për fëmijët tanë. Është një thirrje për të gjithë ne të veprojmë, të reagojmë dhe të ndërtojmë një shoqëri ku çdo fëmijë është i sigurt dhe i mbrojtur. Le të fillojmë sot, në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, duke bërë një angazhim për ndryshim dhe për mbrojtjen e të ardhmes sonë, të fëmijëve tanë.