Nga Arbjona Çibuku
Të hënën u mbajt provimi i parë i Maturës Shtetërore, ku maturantet u testuan për njohuritë e tyre në gjuhën e huaj.
Por ajo që vihet re është rënia e numrit të maturantëve edhe në këtë vit shkollor.
Të dhënat e fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se në arsimin e mesëm vitin e kaluar u diplomuan 27.069 nxënës, ndërsa dy vite më parë klasën e 12 e mbyllën , 29.503 nxënës.
“Kjo rënie e numrit të nxënësve lidhet direkt me eksodin masiv të shqiptarëve dhe përkthehet nesër me më pak studentë në auditorët tona”, thuhet në një reagim të Qëndresës Qytetare për këtë çështje.
Emigrimi i të rinjve por dhe familjeve është reflektuar edhe në shkolla dhe në universitete.
Sipas të dhënave nga INSTAT për vitin shkollor 2022-2023, ka një rënie prej 4.7% të regjistrimit të fëmijë në të gjitha nivelet; parashkollor, 9-vjeçar dhe gjimnaze.
Shkolla e mesme është ajo që është prekur më shumë nga largimi i të miturve. “Në vitin shkollor 2022-2023, u regjistruan në arsimin e mesëm 95.845 nxënës, duke shënuar një ulje prej 7,4 %, krahasuar me vitin e kaluar shkollor”, shkruhet në raportin periodik të INSTAT.
Shqipëria ka gjithsej 40 institucione të arsimit të lartë, ku nga këto 13 janë institucione publike dhe 27 janë institucione private. Këto institucione numërojnë rreth 555 programe studimi me mbi 32 mijë kuota.
Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit, në vitin shkollor 2022-2023 janë regjistruar në klasën e 10 rreth 28 mijë nxënës, gati 10% më pak në krahasim me vitin shkollor 2021-2022.
Universitetet publike humbasin gati 3,000 studentë në vit. Sipas një projeksioni në bazë të të dhënave aktuale, brenda vitit 2030 në universitetet publike do të studiojnë 41% më pak studentë.
“Rënia e numrit të maturantëve është një tregues i efekteve negative që sjell emigrimi masiv i shqiptarëve kryesisht drejt vendeve të BE. Për referencë, në formularin e maturës shtetërore, 1/3 e maturantëve shprehen se do studiojnë jashtë vendi”, tha për Citizens Gevio Tabaku, aktivist i çështjeve studentore.
Ndërkohë Tabaku vendos theksin tek interesi për degën “Infermieri e Përgjithshme”.
99.1% e kuotave të vlefshme për studim në degën “Infermieri e Përgjithshme” në të gjitha universitetet publike janë ezauruar.
“Shqipërisë i humbasin në vit gati 3000 studentë. Kjo shpreh dëshirën gjithnjë e në rritje të të rinjve për t’u larguar nga vendi dhe për të kërkuar kushte më të mira jetesë dhe pune”, shton më tej Tabaku.
Nga tkurrja e numrit të studentëve janë prekur më së shumti universitetet e rretheve dhe degë të caktuara, ndaj të cilave qeveria ka vendosur më pas prioritete.
Citizens ka realizuar një dokumentar ku analizon arsyet e braktisjes së universiteteve dhe pasojat që ka lënë emigrimi.
“Degradimi i jetës universitarë” është pjesë e një cikli dokumentarësh të realizuar nga Citizens Channel. Ky dokumentar eksploron arsyet që kanë çuar në zbrazjen dhe degradimin e universiteteve shqiptare. Rrugëtimi fillon me lëvizjet studentore të viteve 90’ deri në ditët e sotme, për të analizuar pse thirrjet e revoltës studentore kanë ndryshuar shumë pak në 30 vite.
“Kush do i shërojë ata që kane mbetur?” është episodi i dytë i këtij cikli, i cili nis analizën nga parashikimet e zymta demografike të Shqipërisë. Në një kohë kur Shqipëria po plaket, vendi po vuan nga largimi masiv i mjekëve dhe infermierëve.