Një ceremoni e veçantë me rastin e vendosjes së emrit të personalitetit të njohur Moikom Zeqo parkut në lagjen 17, u mbajt ditën e tij të lindjes.
Në këtë ceremoni morën pjesë familjarë, të afërm, miq e kolegë të shkrimtarit, historianit, publicistit, studiuesit të njohur të trashëgimisë shpirtërore dhe materiale të popullit shqiptar, njeriut erudit dhe veprimtarit politik, Moikom Zeqo.
Emri i tij është i lidhur jo vetëm me Durrësin, të cilit, me veprën e tij të shumanshme, i dha nder e krenari, por në shkallë kombëtare e ndërkombëtare. Që prej rinisë së hershme deri në ditët e fundme të jetës Moikom Zeqo ishte i pranishëm në shtypin e shkruar, me mendimin dhe kulturën e tij të gjerë. Ai është autor i 62 librave me poezi, studime arkeologjike, për historinë e artit si dhe të një numri skenarësh për filma. Libra të tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.
Moikom Zeqo ka dhënë një kontribut të çmuar në fushën e historisë dhe arkeologjisë duke përfaqësuar me dinjitet vendin tonë në shumë konferenca shkencore ndërkombëtare. Ai ka punuar shumë në drejtim të zbulimit dhe evidentimit të vlerave tremijëvjeçare të qytetit antik të Durrësit.
Në nderim të këtij personaliteti të shquar të kulturës sonë kombëtare Bashkia Durrës i vendosi emrin e tij, parkut në lagjen 17, në hyrje të Durrësit, qytetit të tij të lindjes, të cilit ai i kushtoi një pjesë të madhe të jetës dhe veprimtarisë së tij kulturore e shkencore.