Gërrmimet në qytetin e Durrësit kanë nxjerrë në dritë tre mozaik dhe ndërkohë gjurmët mund t’i çojnë arkeologët në zbulimin e një të katërti.
Nëntoka e gjimnazit Gjergj Kastrioti po zbulon historinë 2300-vjeçare të pazbuluar më parë të Durrësit.
Shtrësëzimet e strukturave murale deri më tani kanë zbuluar jo vetëm 3 mozaikët më të mëdhenj në Durrës, por edhe një sërë afreskësh stili i të cilave ngjason me ato të Pompeit.
Përpos tyre mbindërtimi i strukturave murore të godinave, nis që prej shekullit të III përpara erës sonë dhe shfaq ndryshime të vazhdueshme deri në shekullin e IV pas erës sonë, me një kulm të lulëzimit dhe luksit përgjatë shekullit të I dhe II.
Arkeologu Përzhita shprehet entuziast për këtë sit arkeologjik dhe e sheh atë si një ndër zbulimet më të rëndësishme të Durrësit, që prej zbulimit të amfiteatrit.
























