ATSH/ UNUM, festivali i muzikës elektronike në natyrë, mblodhi në Shëngjin, Lezhë 20 mijë pjesëmarrës nga çdo cep i botës.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga aspekte të ndryshme që përcolli ky festivali plot me aktivitete sportive, atmosferën muzikore nga DJ më të njohur .
“UNUM Festival për të pestin vit në Ranën e Hedhun në Shëngjin. Mbi 20 mijë pjesëmarrës nga çdo cep i botës shijuan atmosferën nga DJ më të njohur”, shkroi Rama.
Ky festival mishëron idenë e unitetit dhe pozitivitetit, dy aspekte kryesore që janë përfshirë brenda muzikës ‘house’ dhe tekno që shërben si politika kryesore muzikore e festivalit.
Për organizatorët e këtij festivali, Rana e Hedhun është vendi ku emri i festivalit ka kuptim, me muzikën dhe peizazhin që vijnë së bashku për të formuar një ëndërr të lumtur; të erës që fluturon butësisht nëpër pemë pishe. Të gjitha të vendosura në një sfond malor, hapësirë ideale për të dëgjuar shumë artistë të respektuar nga e gjithë bota.
Me një pamje të rrallë mesdhetare, “Rana e Hedhun”, 3-4 kilometra larg Shëngjinit është kthyer në një prej destinacioneve turistë të shumtë, vendas e të huaj.



