Nga Alba Malltezi
Përvit e më shumë, përvit e më tepër shqiptarët marrin rrugën e 13 të martave të shenjta në Shna Ndo për ne, e Shën Antoni i Padovës për botën mbarë. Nuk i kërkon askush, nuk i grumbullon askush; ashtu nën peshën e halleve, gëzimeve e lehtësinë e ëndrrave, bëhen të gjithë “balerinë” e sikur fluturojnë deri në vendin e shenjtë.
Kur gazetari i Report TV pyet disa prej pelegrinëve se çfarë kërkojnë dhe çfarë urojnë nga Shna Ndoi, përgjigjen pothuajse njësoj: Qetësi, harmoni, shëndet, lumturi, paqe…
Kam krijuar përshtypjen se kur njerëzit shkojnë në një vend të shenjtë, ajri përreth, gurët, ndërtesat, njerëzit vetë, ndryshojnë përbërje dhe janë më të lehtë. Grimcat e atomeve që duken “të hallakatura” me një supermikroskop e që përbëjnë sendet, kafshët dhe njerëzit, sikur harmonizohen nën ritmin e mendimeve dhe ëndrrave të mira. Të gjithë e perceptojnë këtë dhe nga kjo atmosferë e krijuar, kujtdo mund t’i ndodhë vetëm e mira. Si në Shna Ndo. Prandaj harmonia, paqja, respekti, dashuria, mirësia kanë rëndësi si në familje, shkollë, punë, apo në çdo vend publik, pasi shumësia e këtyre vlerave bën që gjërat të shkojnë mbarë përgjithësisht.
Është jo vetëm njerëzore, por edhe e përtejshme, e drejta e secilit për të pasur përreth një mjedis të paqtë e të shëndetshëm, prandaj të gjitha besimet, të gjitha fetë, e kanë boshtin kryesor të tyre të paqtë e të drejtë.
Është kundër dëshirës, ëndrrave dhe vlerave njerëzore të propagandosh të kundërtën: Urrejtja, lufta, gënjeshtra dhe synime të tjera konfliktuale i mbajnë jo vetëm shqiptarët, por edhe cilëndo qënie njerëzore dhe jo, larg këtyre vatrave.
Kushedi se cila është forca dhe magjia e Shën Antonit të Padovës, lindur në të largëtin 15 gusht 1195 në Lisbonë, që mban sot në qershor të 2024-s kaq shumë shqiptarë bashkë në Kishën e Laçit ngritur, rrëzuar e ringritur për nder të tij. Forca e të mirës, përballë hileve të së keqes, e kapërceka me lehtësi largësinë e shekujve e si të ishte dje, Shna Ndoi apo Shën Antoni i Padovës, bën për vit e më shumë edhe në Laç, këto mrekulli mes mijëra shqiptarësh.