Zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho ka deklaruar se taksa e profesioneve të lira rëndon shtresën e mesme e sidomos qytetarët e dëmtuar nga kriza e çmimeve.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Xhixho shprehet se rreth 30 mijë biznese në të gjithë vendin preken nga taksa dhe se 3 620 prej tyre kanë paraqitur kërkesën për mbyllje që prej vendosjes së taksës.
“Në mbështetje të profesionistëve të lirë dhe protestës së tyre kundër taksës antikushtetuese, në fuqi prej 1 janarit.
Kjo taksë është taksë mbi dijen dhe do të rëndojë direkt mbi shtresën e mesme dhe qytetarët e dëmtuar nga kriza e çmimeve.
Rreth 30 mijë biznese në të gjithë vendin preken nga taksa
Të paktën 3 620 prej tyre kanë paraqitur kërkesën për mbyllje që prej vendosjes së taksës
Taksimi 15-23% do të çojë në arkën e qeverisë rreth 0.2% e PPB, e papërfillshme në krahasim me efektet negative te individë, që kanë investuar një jetë në formimin profesional
Kjo taksë shkel sigurinë juridike diskriminon bizneset e shërbimeve profesionale në raport me bizneset e tjera.
Kjo taksë godet shtresën e mesme, intelektualët dhe të rinjtë që duan t’i investojnë në Shqipëri dijet e tyre. Ajo është mekanizmi i radhës me të cilin kjo qeveri po nxit shpopullimin masiv të vendit.
Ky sistem i padrejtë, i pandershëm dhe abuziv duhet të marrë përgjigjen e duhur në seancën e 18 qershorit!
Bashkë me profesionistët e lirë, i bëj thirrje Gjykatës Kushtetuese që në gjykimin e kësaj çështjeje të jetë profesionale dhe larg çdo presioni politik, për të vënë në vend të drejtën dhe për të mbrojtur interesin publik”,-shprehet Xhixho.