Një pjesë e grupit të opozitës së qytetit të Durrësit në Këshillin Bashkiak, kanë ankimuar vendimin e mazhorancës për miratimin e projektvendimit të parkimeve me pagesë që pritet të bëhen në qytetin e Durrësit në javët në vijim.
Vendimi se qytetarët e Durrësit do duhet të paguajnë për të parkuar në zonat e paracaktuara si zonat A dhe B, është kundërshtuar nga opozita që në propozimet e para, por pavarësisht argumentave, ky vendim u miratua me shumicë votash nga mazhoranca, pak ditë më parë.
Ka qenë Joni Myshketa i cili ka ndarë me publikun ankesën që kanë kryer ndaj institucionit të Prefekturës së Qarkut Durrës, në mënyrë që ky vendim, mos të konfirmohet.
Lexoni postimin e plotë të Joni Myshketës:
Të nderuar miq e qytetar!
Bashkangjitur është kërkesa që kemi paraqitur sot pranë institucionit të Prefektit Durrës për mos pranimin e aktit në lidhje me projektvendimin e tarifimit të parkimeve në zonat A dhe B në Durrësin tonë.
Argumentet tona janë në koherencë të plotë me atë çka kemi kërkuar që në fillim në lidhje me nxitimin e këtij projektivendimit dhe të bazuara në ligj.
Të jeni të bindur që jam dhe do jemi përherë në shërbim të qytetit pasi mbi të gjitha jemi të njëjtë në raport me atë çka duhet të marrim nga Bashkia Durrës dhe kushdo institucion tjetër që mbahet me taksat tona dhe duhet të jetë në shërbimin tonë.
Do të ndjekim të gjitha hapat që na lejon ligji që çdo qytetar durrsak të ndihet i përfaqësuar dhe të marrë atë që ligjërisht i takon.
Me shumë respekt për secilin prej Jush!