Artistja polake Maria-Rosa Syhovska (o. Szychowska) po realizon një murale në fasadën e godinës në pikën kufitare-doganore të Kapshticës.
Pas kësaj muraleje, polakja do të vijojë me Qafë-Thanën. Me anë të tyre do të mundësohet një imazh i veçantë për turistët dhe qytetarët, që lëvizin në të dyja anët e kufirit.
“Është një projekt në bashkëpunim me Ministrinë e Turizmit dhe Doganën. Kjo është një murale që paraqet lule përgjatë gjithë sipërfaqes, do të kemi elemente në pjesën ballore të godinës dhe pas saj. Më pas do të shkoj edhe në Qafë-Thanë, aty në godinën e doganës, ku sërish do të pikturoj lule,” thotë znjsh. Syhovska.
Artistja është surprizuar nga bukuria e natyrës shqiptare dhe mikpritja në qarkun e Korçës, gjë që e ka frymëzuar edhe më shumë për punën e saj.
“Është shumë bukur këtu. Njerëzit janë vërtet të ngrohtë dhe mikpritës, peizazhet janë të mrekullueshme dhe ushqimi i shijshëm,” tregon piktorja.
Pikat e kalimit kufitar të Kapshticës dhe Qafë-Thanës, si dy pikat kryesore të lëvizjes së qytetarëve në juglindje të vendit, kanë marrë të gjitha masat për një mjedis mikpritës në nisje të sezonit turistik veror.