Zhvillohet falas për herë të parë MASTERCLASS-i si specializim në nivelet më të larta vokale dhe skenike, ku të ftuar ishin docentë personalitete ndërkombëtare si Maestro Angelo GABRIELLI, Elda LARO, Daniela Schillaci, Mirca Rosciani dhe nën kujdesin e veçantë të Maestro Gëzim Myshketa, si ideator dhe organizatori kryesor i këtij eventi që vjen për herë të parë në Durrës.
Gëzim Myshketa:
“Kjo iniciativë realizohet me mbështetjen kryesore të Bashkisë Durrës nën kujdesin e veçantë e personal të zonjës Emiriana SAKO dhe të disa institucioneve kulturore si Shkolla e Mesme Artistike Jan KUKUZELI në personin e Zotit Dashamir MEHMETI dhe QKF Durrës në personin e Zotit Avni ÇUNI. Vlen të theksohet që duke përfituar nga respekti njerëzor dhe profesional që këto personalitete kanë për personin tim si edhe kureshtjen dhe dëshirën e madhe për të njohur Shqipërinë në këtë aspekt , të gjithë docentët sa më lart vijnë me titull gratuit duke krijuar mundësinë që ky Masterclass të jetë krejtësisht gratis për të gjithë studentët pjesmarrës. Gjithashtu për këtë vit falë bujarisë të mbështetësve të artit që do ti përmend më poshtë , dhe me pak shpenzime personale kemi arritur të realizojmë të gjithë projektin duke mos kërkuar asnjë financim të asnjë lloji nga asnjë institucion Publik apo Privat.”
Masterclass-i priti me dhjetra të interesuar që dita ditës pritet të vijnë nga vende të ndryshme të botës, ndërkohë që aktualisht një numër i lartë i tyre vijnë nga shtete Kosova , Kina , Gjermania, Franca ,Mauritania, Brazili, Italia , Polonia etj .
Gëzim Myshketa:
“Ishte një ëndërr e imja që të investoja në vendin tim dhe të sillja këtë klasë falas për të rinjtë e qytetit tim, por interesi ka qenë mjaft i lartë dhe nga shtetas të huaj të cilët kanë marrë rrugët nga shtete të largëta, vetëm për të qenë pjesë e këtij eventi.”
Komisioni i përbërë nga Mjeshtrat e ftuar do të përzgjedhin një grup talentesh nga më të avancuarit për të interpretuar në koncertin që do të mbahet në Hotel Adriatik në datën 4 Korrik 2024.
Gëzim Myshketa:
“Me datë 4 korrik, do të kemi kënaqësinë e një eventi që do të mbahet pranë Hotel Adriatik, ku maestrot dhe të rinjtë do të performojnë në një mbrëmje e cila është konceptuar si koncert.”
Sakaq me datë 6 korrik Baritoni Myshketa do të mbajë një koncert recital unik. I shoqëruar nga kori, solistët dhe Orkestra Simfonike e TKOB-së, Myshketa do të interpretojë një përzgjedhje këngësh shqiptare, duke përfshirë “Të falem i bukuri Durrës”, “Për ty Atdhe” dhe “Pragu i vegjëlisë”. Po ashtu, repertori do të përmbajë edhe pjesë të njohura ndërkombëtare si “Parla più piano”, “Funiculì Funiculà” dhe “Caruso”.