CENSUSI – 500 mijë arsye më shumë për votën e mërgatës

CENSUSI – 500 mijë arsye më shumë për votën e mërgatës

Nga Aurora Barçi dhe Sofokli Çakalli 

Ashtu siç e ka imponuar forca e zakonit, nismat qeveritare në Shqipëri, qofshin ato me qëllim vetëm statistikor apo me impakt të rëndësishëm për jetën ekonomike dhe sociale të vendit, përvishen nga arroganca për të mos u friguar nga detyra e përgjegjësisë për korrektësi dhe vërtetësi ndaj shqiptarëve, qofshin ata pro apo kundër karriges në qeveri. Ndryshim nga kjo ligjësi tashmë thuajse 12 vjeçare në Shqipëri, nuk mund të bënte Censusi për regjistrimin e popullsisë. Duke sfiduar pa asnjë kompleks realitetin e përjetuar nën lëkurë nga qindra-mijëra shqiptarë që mbyllën e mbyllin pas vetes dyert e tokës amë, ashtu sikurse varësinë absolute të të mbeturve në atdhe nga familjarët e larguar gjetkë, qeveria shqiptare përmes INSTAT shokoi të vërtetën e përjetuar me shifrat e utopisë të së pamundurës.
Pas një vonese të pashpjeguar, qeveria vendosi në fund të publikojë nëpërmjet INSTAT-it të dhënat e Census-it të 2023. Dokumenti preliminar tregoi se sot Shqipërisë i mungojnë më shumë se 500 mijë banorë, duke llogaritur edhe rritjen natyrore nga raporti lindje-vdekje (rreth 90 mijë). Shqipëria sot ka të paktën 17% më pak banorë se sa duhet të kishte. Imagjinoni sikur sot të zbrazen njëherësh së bashku i gjithë Qarku i Vlorës (~146 mijë), Qarku i Gjirokastrës (~60 mijë), Qarku i Lezhës (~99 mijë) dhe Qarku i Dibrës (~107 mijë), sërish do të duheshin edhe 8 mijë banorë të tjerë që të bëhen aq sa janë larguar në 12 vitet e fundit (~420 mijë).

Duket sikur keqqeverisja ka ndërmarrë një fushatë bombardimesh për të ulur numrin e popullsisë kudo në Shqipëri. Për 420 mijë të larguar, Shqipëria duhet të bombardohej nga 3 bomba atomike të Hiroshimës dhe 1 të Nagasakit.

Por këto largime masive nuk janë vetëm numra e statistikë, janë një lumë me histori sakrificash e drama familjare nga veriu në jug. Bërthama e shoqërisë, familja, është ajo që ka marrë goditjen më të fortë dhe jeton sot ditët më të vështira të tranzicionit. Në Censusin e vitit 2023, njësia familjare mesatare është me 3.2 anëtarë, krahasuar me 3.9 anëtarë të Censusit të vitit 2011. Në Qarkun Shkodër, nga 2011 në 2023, popullsia u tkurr nga 215 mijë në 154 mijë banorë; një rënie prej 61 mijë banorë që përkthehet në 1 emigrant për çdo 3.5 banorë. Kjo tregon se çdo familje shkodrane sot ka më shumë se 1 familjar të larguar në mërgim. Mjerisht, numrat tregojnë që ky trend manifestohet në çdo krahinë të Shqipërisë.

Fshatrat shqiptarë sot duken si vendngjarje post-apokaliptike ku njerëzit kthehen vetëm për vdekje, të varrosin prindërit dhe gjyshërit. Tashmë, parcela më e madhe në çdo fshat janë varrezat. Nga Censusi 2023 del se në 12 vitet e fundit janë shtuar më shumë se 63 mijë persona 60 vjeç e lartë që jetojnë vetëm, pa fëmijë dhe pa bashkëshort/e. Këta janë prindërit dhe gjyshërit tanë që po përjetojnë skenarin më të keq të mundshëm të pleqërisë.

Edhe pse integriteti i Censusit 2023 ka shumë njolla të zeza, hija e manipulimit mund të fshehë numrat, por jo të mbysë zërat e plot gjysmë milioni shqiptarëve të larguar. Nga 422 mijë shqiptarë të larguar, duke analizuar përqindjen e grup-moshave mbi 5 vjeç në Censusin e 2011 dhe mbi 17 vjeç në Censusin e 2023, del se rreth 89% e mërgatës së 12 viteve të fundit do të jenë mbi 18 vjeç në vitin 2025. E thënë kjo, rreth 375 mijë më shumë shqiptarë sot janë pa të drejtë vote për zgjedhjet e 2025-ës. Ndër arsye të shumta që motivojnë largimin e tyre, nevoja për siguri ekonomike dhe jo vetëm për veten dhe familjet e tyre afërmendsh predominon.Sipas OKB-së, vendet ku shqiptarët kanë emigruar më së shumti vitet e fundit janë: Italia, Gjermania, Mbreteria e Bashkuar, Zvicra, Belgjika dhe Kanadaja. Të gjitha këto vende kanë një emërues të përbashkët: një demokraci funksionale ku sundon  “The rule of Law”. Me një arsyetim të thjeshtë, është e kuptueshme se zgjedhja e tyre drejt shoqërive ku meritokracia dhe e drejta prevalon mbi lidhjet politike dhe interesat e ngushta partiake, përkthehet në refuzim për t’iu nënshtruar autokracisë, patronazhimit apo shitblerjes së punësimit në administratë. Për rrjedhojë, përgjigjia e tyre do të përkthehej në votë kundër sistemit autokratik nëse do të kishin qëndruar në Shqipëri. Të larguar, ata bjerrin numrin e votave kundër autokracisë dhe praktikave të saj të patronazhimit dhe skllavërimit të votës.
 
Nga krahasimi me Censusin e 2011, po ashtu del se në zgjedhjet e 2025, do të kemi rreth 21% më pak votues të rinj, të cilët i përkasin Gjeneratës Z dhe Alpha. Është një tjetër rast i humbur për Shqipërinë e plakur, ku zëri i të rinjve sa vjen e zë më pak vend. Edhe pse largimi i tyre është një dramë sociale kombëtare, nga ana tjetër, këta votues potencialë duke jetuar në këto vende kanë fatin të edukohen me një kulturë perëndimore dhe të bëjnë ndryshimin duke kërkuar një ofertë politike më cilësore për Shqipërinë.
Ndër kontekste të shumta politike globale, i një rëndësie të veçantë është ai aktual në Kenia, ku demonstratat e dhunshme kundër një projektligji të diskutueshëm financiar që përmbante taksa të reja, duke shtuar vështirësitë e njerëzve që tashmë vuajnë nga një krizë e kostos së jetesës, patën për protagonistë atë që njihet si Gjenerata Z, adoleshentë e të rinj të lindur pas vitit 2000. Një fenomen i tillë gjen shpjegim në studime të ndryshme sociale, të cilat vërtetojnë se gjeneratat e reja të votuesve reagojnë në forma më antikonformiste deri edhe revolucionare ndaj ngjarjeve politike, janë më liberalë se prindërit e tyre dhe karakterizohen nga mosbindja ndaj dinamikave politike që i prekin. Parë kjo në kontekstin e temës, largimi nga vendi i adoleshentëve dhe të rinjve shqiptarë, ushqen apatinë ndaj regresit politik dhe degradimit ekonomik të vendit. Largimi i motorrit të reagimit të ashpër dhe me nerv i heq vendit mundësinë për të patur një shoqëri të ndjeshme ndaj keqqeverisjes.
Për shumicën e familjeve shqiptare, paratë e dërguara nga mërgata vazhdojnë të jenë një burim ekonomik jetik. Këto të ardhura kanë tre dekada që po ndihmojnë në përmirësimin e mirëqenies dhe uljen e pabarazisë ekonomike. Sipas raportit të Bankës Botërore, remitancat kanë sjellë 29 miliardë dollarë në ekonominë shqiptare nga viti 1992 deri në 2019, duke përbërë rreth 10% të Produktit të Brendshëm Bruto (PBB). Pas vitit 2013, remitancat janë shtuar ndjeshëm duke kulmuar në vitin 2023 me një vlerë prej 1.97 miliardë dollarë (remitanca personale të marra, shprehur në USD – 8,57% e vlerës së PBB-së në vitin 2023, Banka Botërore). R
Rritja e remitancave dhe e varësisë ekonomike ndaj tyre janë indikatorë të një pavarësie ekonomike të kufizuar për familjet shqiptare. Rritja e remitancave me gati 54% në dekadën e fundit vërteton më tej faktin se gjithnjë e më shumë shqiptarë largohen në emigracion për të ndihmuar familjet e tyre në vendlindje. Në kohën kur duhen të përmirësohen kushtet e punës dhe krijohen mundësi për talentet vendase, qeveria përmes politikave të saj po inkurajon një rrjedhje të trurit dhe vazhdon ta mbështesë rritjen ekonomike kryesisht përmes remitancave dhe turizmit, fakt që tregon një ekonomi vulnerabël dhe të varur.
Sot, si një vend më i zhvilluar kinse me 10 milionë turistë në vit, Shqipëria duhet të kishte një përqindje shumë më të vogël të PBB-së të atribuuar remitancave. Turizmi (27.8%) dhe remitancat (8.6% sipas Bankës Botërore) përbëjnë së bashku rreth 36.4% të PBB-së për vitin 2023, duke theksuar varësinë e frikshme ekonomike të vendit nga këto dy burime. Megjithatë, filozofia ekonomike e qeverisë duket se është të varet nga ata që jetojnë jashtë Shqipërisë, turistët dhe emigrantët, një filozofi që shpjegon arrogancën dhe mungesën e transparencës në këto 12 vite qeverisjeje, qe s’kishte si të mos shfaqej lakuriq edhe gjatë procesit të zhvillimit dhe publikimit të Censusit. 

Aurora Barçi dhe Sofokli Çakalli

Anëtarë të Departamentit të Brain Gain & Ekselenca, Partia Demokratike