Aktori Timo Flloko ka publikuar një poezi të tij, në nder të shkrimtarit të ndjerë Ismail Kadare.
Në vargjet kushtuar letrarit, të quajtur Kadare, në kllapa “Requiem”, që në latinisht do të thotë “Meshë e Kishës Katolike”, Flloko e nis poezinë duke përshkruar ditën me dhembjen e madhe pa gjeniun e letrave shqipe.
KADARE (Requiem)
Nga Timo Flloko
E piva kafen e helmët pa ty, këtë mëngjes,
Dhembjen, fillikat, me kë ta ndaja,
Chateau Juvenilja tek e shoh më ngjan,
Më shkretëtirë se Saharaja…
Ike heshtjes si gjigant, i menduar,
(Bëre vallë pakt të fshehtë me ikjen?!)
Le bosh pas vetes, në mijëra zemra,
Zbrazëti pa skaj, apokaliptike…
(Pse vijnë gjenitë dhe ikin nga kjo botë..?!)
Ikja jote është shtegtim qiellor,
Vdekjen s’mund as ta imagjinoj dot!
Mortin s’mund ta marr as me mend..
Një zog erdh’ a m’u faneps
Fluturimin ndali, u ul në vendin tënd,
(Të ish hij’ e Nobelit ai udhëhumbës,
Me pendesën në vete, një gjasë aq e rrallë,
U nis por mbërriti vone, nga erërat që frynin,
Korb u bë nga mërzia, se s’të gjeti gjallë…)
U përmenda ne fund, humbës në atë bosh,
Hodha sytë në qiell, përtej, te e panjohura,
Me pafundësinë u shkri, atje përjetshëm,
Shpirti yt shtegtar që kapërcen kohërat.
Ismail Kadare humbi jetën mëngjesin e 1 korrikut në moshën 88-vjeçare. Të shumta ishin homazhet që u organizuan në nder të figurës së tij. 2 dhe 3 korriku u shpallën dy ditë zie.