Tri netë “Za Fest”, edicioni i tetë do të mbahet në datat 18, 19 dhe 20 korrik

Tri netë “Za Fest”, edicioni i tetë do të mbahet në datat 18, 19 dhe 20 korrik

Atmosferë, ritëm, energji dhe adrenalinë pritet të sjellë për tre netë me radhë “Za Fest”, festivali i zanave dhe legjendave. Nata e parë më 18 korrik do të mbahet në oborrin e Muzeut Historik të Shkodrës ndërsa dy netët e tjera 19 dhe 20 korrik në kalanë “Rozafa”. Koordinatorja e festivalit thotë se interesi i shkodranëve për të ndjekur këto netë ka qenë i lartë. Përgjatë netëve të festivalit, për qytetarët do të ofrohet transporti falas.

 “Za Fest-in e duan të gjitha moshat. Deri në moshën 13 vjeç është falas dhe mbi moshën 65 vjeç është falas, gjithashtu edhe transporti është falas”, tha Klodjana Serraj, Koordinatore lokale, “Za Fest”.

Shumë artistë do të jenë të ftuar për publikun e pranishëm në këto tre netë të “Za Fest”.

“Za Fest” shënon këtë vit edicionin e tetë dhe ai është kthyer në një destinacion turistik. Vendndodhja strategjike e përdorur ndër vite e ka shndërruar atë në një festë të vërtetë të trashëgimisë kulturore. Mistikja e kalasë “Rozafa” e ndërthurur me muzikën pritet t’i bëjë ato tre netë të parezistueshme për publikun shkodran dhe turistë nga e gjithë bota.