Një seri postimesh faturash të rreme kanë nisur të qarkullojnë në rrjetet sociale ku tregojnë “çmime të larta” të ushqimeve në restorantet e plazheve shqiptare. Për ta dalluar vërtetësinë e tyre mjafton të shohësh se s’janë fatura tatimore, por copa letre të printuara pa kaluar në sistem fiskal. Letra që mund t’i printojë kushdo me shifrat që dëshiron, sikundër mund të çohesh nga gjumi në 7 të mëngjesit dhe të filmosh plazhin bosh.
Disa e kanë marrë si shaka pretendimin e qeverisë së ka një sulm të organizuar ndaj turizmit në vendin tonë. Askush s’e merr në konsideratë faktin se lajme të tilla qarkullojnë nga portale anonimë në internet, pikërisht si ai që degradonte figurat e Policisë së Shtetit pak muaj më parë. Media me emra të çuditshëm, të paregjistruara gjëkundi, që mbijnë zakonisht në kësisoj situatash veç për të kryer një shërbim.
Lufta gjatë sezonit turistik, kryesisht mes vendeve fqinje, është një fakt sepse turizmi është i vetmi sektor që mban gjallë vendet që shtrihen përgjatë Adriatikut dhe është reklama më e mirë për këto vende. Kush s’e mban mend, Shqipëria çdo vit është sulmuar edhe nga vetë Kroacia, një vend mik e ‘vëlla’ për disa, por që nuk e ka kursyer shenjestrimin. Bëhet fjalë për mbetjet në det, ku mediat kroate dashakeqe ndaj suksesit të shqiptarëve vitet e fundit në sektorin e turizmit postonin pamje të plehrave në det duke akuzuar se shkonin nga Shqipëria deri në brigjet e Dubrovnikut. Të njëjtën lojë për vite me radhë e bënë edhe mediat malazeze, që akuzonin lumin e Bunës e liqenin e Shkodrës së po “i bombardonte” me plehra. Sërish për t’jua sjellë në vëmendje; verifikimet që kryheshin më pas zyrtarisht dilnin në konkluzionin se mbetjet nuk kishin asnjë origjinë nga Shqipëria dhe këtë e tregonte lehtësisht amballazhi. Pra produkte të tilla as nuk ekzistonin në tregun tonë dhe ishin hedhur nga anijet e huaja. Por ndërkohë propaganda kish bërë të sajën. Në këto raste, sulmesh të padrejta asnjë s’u tregua patriot për të bërë dy gisht status në rrjetet sociale dhe sot është më e qartë së kurrë, se pse kjo sjellje.
Një pjesë me ç’duket paska uruar që këto të ishin të vërtetë dhe sot në pamundësi për të fërkuar duart me punën e ‘armikut’ po bën rolin e tij. Domethënë, për të gjithë që mendoni se po flas për konspiracione, po ju jap një shembull konkret. Një faqe që qahet një herë në vit se po e sulmon qeveria dhe AKEP-i, një vit më parë nxori videon e një personi në Himarë që u bërtiste turistëve. Titulli i lajmit/postimit ishte “Pronari në Himarë u nxjer organin gjenital turisteve të huaja”. Ajo video mori dhenë, por mijëra komentues e kryesisht banorë të Himarës sqaronin se nuk bëhej fjalë për pronar hoteli, por një njeri me probleme mendore, banor i njohur i zonës. Madje ia jepnin dhe emër e mbiemër të fatkeqit, që në ato momente ishte bërë agresiv. Video ka mbi 365 ditë në rrjetet sociale dhe Youtube dhe publikuesi që mendon se jeta është gallatë, as e ka fshirë dhe as e ka korrigjuar titullin dhe lajmin minimalisht. Cfare emri mund t’i vemë këtij rasti dhe qindrave si ky?
Tani në këtë spiralen e shifrave dhe çmimeve të turizmit janë përzierë edhe disa emra të opozitës si për të mos e lënë këtë të fundit pa kauzë gjatë beharit. Sepse turizmi në fakt është sektori që mund të sulmohet më lehtë dhe është një punë që e bëjne jo vetëm ziliqarët, por edhe injorantët. Fjala bie, bujqësia do një agronom të thotë dy fjali me mend se ku çalon. Energjetika do një inxhinier hidro a një ekonimist. E kështu me radhë. Turizmi do veç të zgjohesh pa gdhirë, të filmosh shezlonet bosh, të printosh a të shkruash me shkrim dore një letër bakalli e ta postosh si faturë restoranti. A është dëmtuar turizmi në Shqipëri? Ndoshta, duke marrë parasysh se shqiptarët e Kosovës këtë vit mund të udhëtojnë pas kushedi sesa vitesh izolim. Duke marrë parasysh se rusët, bjellorusët e ukrainasit nuk vijnë më për shkaqet e bllokadave e të luftës.
A ka fluks të madh? Mjafton të shkoni në Rinas dhe të shihni se s’ke ku hedh kokrrën e mollës. Sesi ulen avionët çdo pesë minuta dhe sesi atyre që largohen u vonohen avionët mbi një orë. Kush do ta shohë sesa e lakmuar është Shqipëria këtë vit, të shohë sesi vijnë mijëra njerëz në ditë nga të katërta anët e botës dhe me siguri nuk vijnë as për të hedhur molotovë, as për të krijuar media false e as për të ndenjur në Facebook. Por për ta shijuar Shqipërinë nga shezloni buze detit, tek bujtina majë malit. Nga pazari i ri, tek sitet kulturore e muzeumet që patriotët e Facebook-ut s’i dinë as ku ndodhen, e jo më të kenë shkuar ndonjëherë./ Java News