Pas akuzave për probleme në treguesit ekonomiko-financiarë të Ujësjellës Kanalizime Durrës, duke se gjërat kanë ndryshuar. Shoqëria Rajonale që tashmë ka një zonë më të madhe që mbulon me shërbimin e furnizimit me ujë, ka një rritje të vazhdueshme të arkëtimeve. Burime nga kjo Shoqëri bëjnë të ditur se në 3 muajt e fundit (1 maj-25 korrik 2024) është arkëtuar në banka shuma prej 582 917 695 lekë, kundrejt 478 741 519 lekë që janë arkëtuar për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (2023). E përkthyer në përqindje, kemi të bëjmë me një rritje prej 21.7 për qind të arkëtimeve, shifër e cila pritet të vazhdojë me trend rritës deri në fund të vitit.
Aktualisht Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Durrës ka rritur kontrollet dhe inspektimet e grupit Task-Forcë, i cili po kryen kontrolle në zonën turitike Durrës-Kavajë. Task-Forca po operon edhe me specialistë të AKUK (Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizime) duke ushtruar presion mbi debitorët, kryesisht subjekte që kanë vlera të papaguara të faturave të ujit. Duke se këto kontrolle kanë dhënë efektin e tyre, pasi vetëm në këtë muaj (1-25 korrik) është arkëtuar në banka shuma rekord 218 276 634 lekë. Nga ana tjetër për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar (1-25 korrik 2023) janë arkëtuar 147 214 177 lekë. Pra, korriku i 2024 ka një rritje prej rreth 50 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Duket se Ujësjellësi i ka lënë pas “akuzat” e disa muajve më parë për falimentim apo probleme dhe borxhe të shumta. Prej afro 3 muajsh në krye të Shoqërisë është emëruar drejtori i ri i saj, Sedi Çaushi, një inxhinier i ri me ambicie dhe dëshirë për ta çuar më përpara performancën e kësaj ndërmarrje. Ndonëse drejtori i ri ka shumë pak kohë në krye të kësaj ndërmarrje që është përfolur shpesh për performancë të dobët, gjërat duket se kanë ndryshuar. Treguesit e parë kanë dalë në pah, ndërkohë që sfidë mbetet përmirësimi i furnizimit me ujë për të gjithë zonën që mbulon Shoqëria Rajonale, nga Rrogozhina deri në Krujë.
Aktualisht Ujësjellës Kanalizme Durrës pritet të përfitojë një investim të rëndësishëm nga Agjencia Franceze për Zhvillm (AFD). Marrëveshja është nënshkruar tashmë dhe me një fond prej 60 milion euro do të mundësohet rrjeti i ri i shpërndarjes së ujit për qytetin e Durrësit me qëllim furnizimin e qytetit me 24 orë, zëvëndësimi i tubacionit kryesor DN 700 nga Fushë Kuqja në Durrës, si dhe hartimi i masterplanit të Kanalizimeve të ujërave të ndotura për gjithë shqërinë, nga Rrogozhina deri në Krujë. Ky investim cilësohet shumë i rëndësishëm dhe pritet të japë impakt të menjëhershëm në furnizimin me ujë të Durrësit dhe zonave rurale, pasi praktikisht do të kemi të bëjmë me një Ujësjellës të ri, eleminohen humbjet në rrjet dhe rritet sasia e ujit që vjen në depo. Vitin e ardhshëm pritet nisja e punimeve në terren për rrjetin e ri shpërndarës të qytetit.