Ai ndjek studimet e larta në vitin e dytë, pranë degës së sporteve për trajnier, ndërkohë që prej dy vitesh ka spikatur në skuadrën e KF Erzenit si një ndër lojtarët më të rinj dhe të talentuar. Bëhet fjalë për Krist Bespalla, një ndër emrat e rinj të futbollit vendas i cili po synon kombëtaren dhe jo vetëm.
Kristi iu përgjigj 30 pyetjeve të rubrikës tonë, për të zbuluar më shumë në lidhje pasionin e tij për futbollin, aspiratën e tij dhe rutinën e një lojtari të ri.
Intervista Krist Bespalla
1- Si e ke nisur karrierën tënde në futboll?
- Karriera ime ka nisur si çdo fëmijë, duke luajtur në lagje, në shkollë, më pas familja ime ishte shtysa për të hyrë në një akademi sportive. Durrësi 04 dhe Arena Shijak kam dalë disa vjet kampion me grupmoshat deri në U 19, pas kësaj, aty fillon dhe jeta si futbollist profesionit në KF Erzeni.
2- Cili është klubi yt i preferuar?
- Juventus
3- Cili është idhulli yt në futboll?
- Cristiano Ronaldo
4- Çfarë pozite luan në fushë?
- Sulmues i djathtë ose i majtë.
5- Cili është qëllimi yt kryesor në karrierë?
- Qëllimi im është si çdo futbollist, të luaj për kombin e tij dhe sigurisht në nivelet më të larta të futbollit.
6- Si e përshkruan stilin tënd të lojës?
- Siç më kanë thënë dhe trajnierët e mi dhe dashamirësit si Eden Hazard.
7- Cila është sfida më e madhe që ke përjetuar deri tani?
- Sfidat më të mëdha që kam përjetuar, kanë qenë dëmtimet e shumta në karrierë.
8- Si menaxhon stresin përpara ndeshjeve?
- Duke dëgjuar muzikë për të hequr emocionet e tepërta.
9- Çfarë do të bësh për të përmirësuar lojën tënde?
- Stërvitje “step by step” (hap pas hapi).
10- Si e sheh mbështetje nga familja jote?
- Familja ime është mbështetja kryesore, pa familjen time nuk do të isha këtu ku jam sot.
11- Cili është momenti më i paharrueshëm i karrierës tënde deri tani?
- Momenti më i paharrueshëm është debutimi im në superligën shqiptare 19 vjeç.
12- Si ndihesh kur je në fushë me shokët e ekipit?
- Shokët e ekipit janë familje e dytë për mua, çdo gëzim, trishtim, e ndajmë me njëri-tjetrin.
13- Çfarë mendon për trajnerin tënd?
- Trajnerët e mi, i falenderoj për punën e palodhshme me mua.
14- Cila është pjesa më e mirë e trajnimit të përditshëm?
- Në trajnimin e përditshëm, duhet të kesh më shumë dispilinë, sesa motivim!
15- Si i shikon rivalët në kampionat?
- Besoj që këtë vit, do të jetë kampionati më i fortë në krahasim me të gjithë vitet që kanë kaluar.
16- Cili është objektivi yt për këtë sezon?
- Objektivi im për këtë sezon, është që të shënoj gola dhe të jem pjesë e kombëtares.
17- Si e kalon kohën jashtë fushës së lojës?
- Të them të drejtën, shumë pak kohë kaloj jashtë fushës dhe palestrës. Atë pak kohë të lirë timen, e kaloj më pas me miqtë e mi.
18- Çfarë rëndësie ka për ty pasioni për futbollin?
- Pasionin për futbollin e kam trashëgimi nga gjyshi dhe nga babi, dua që mbiemrin ta dërgoj sa më lartë që t’i bëj krenar familjen time.
19- Si ndjehesh për përkrahjen e tifozëve ose personave të cilët të mbështesin kur je në fushë?
- Tifozët janë lojtarët e 12, dua që këtë vit të na përkrahin sa më shumë dhe të kenë besim tek ne.
20- Çfarë të motivon të vazhdosh të luash futboll?
- Pasioni për futbollin më motivon që ta vazhdoj dhe familja ime.
21- Cila është loja më e mirë që ke luajtur ndonjëherë?
- Loja më e mirë ishte këtë sezon. Ndeshjen e fundit me Partizanin në superligë, ku luajta 45’ duke pasur dhe disa raste për shënim goli.
22- Si e përballon një humbje të një ndeshje?
- Me thënë të drejtën, e përjetoj shumë një humbje, se në jetë jam një person që dua të fitoj çdo gjë dhe stërvitem më fortë për të fituar ndeshjen e radhës.
23- Çfarë ndryshimesh do të doje të shihje në futbollin profesional?
- Doja që të ndryshonin mendimet e tepërta për përfitim parash në futboll, shoh që sot futbolli është kthyer në biznes, nuk ka shumë pasion sipas mendimit tim.
24- Çfarë ka më shumë rëndësi për ty kur nis lojën?
- Për mua më shumë rëndësi ka përqëndrimi në lojë dhe të mos bëhem shumë nervoz.
25- Çfarë mendon për teknologjinë në futboll?
- Besoj që teknologjia në futboll e ka rritur futbollin dhe kanë ndihmuar ekipet dhe arbitrat përveç rastit Gjermani-Spanj😅
26- Si ndihesh për përzgjedhjen në ekipin kombëtar, e synon?
- Si për mua dhe çdo futbollist është ëndërr të luaj për ekipin kombëtar, çdo vit synoj që të jem pjesë e kombëtares. Besoj që një ditë do ta arrij me punë.
27- Çfarë këshillash ke marrë nga futbollistët e tjerë?
- Kam marrë shumë këshilla në karrierë, sepse këtë vit isha më i vogli në ekipin tim dhe kam disa djem që nuk do t’i harroj kurrë për fjalët dhe që me perkrahën çdo ditë, si në stervitje ashtu dhe në ndeshje Nehar Sadiki, Anteo Osmanllari, Adnard Mehmeti dhe Bekim Maliqi, këta djem më perkrahin dhe kur e shihnin që unë nuk jepja maksimumin, më motivonin për të dhënë maksimumin në stërvitje.
28- Cila është rutina jote përpara ndeshjeve?
- Rutina ime është stërvitje, regjim dhe grumbullim me ekipin.
29- Si e sheh zhvillimin e futbollit në vendin tonë?
- Besoj që futbolli në Shqipëri është rritur shumë, po bëhet një futboll i bukur dhe i shpejtë me disa ekipe shumë të forta dhe emra të mëdhenj në vendin tonë.
30- Çfarë ëndrrash ke për të ardhmen tënde në futboll?
- Ëndrra ime është që të luaj sa më shpejt në nivelet e larta dhe mos të harroj kombëtaren tonë.