Debati Harris-Trump dhe qytetërimi politiko-mediatik që të gjithë ëndërrojmë!

Debati Harris-Trump dhe qytetërimi politiko-mediatik që të gjithë ëndërrojmë!

Nga Alba Malltezi 

Debati, në transmetim të drejtpërdrejtë televiziv i dy kandidatëve për president të Shteteve të Bashkuara, është një eksperiencë që nuk duhet humbur 1 herë në katër vjet. Eshtë një leksion demokracie, një guxim përballje, një mësim gazetarie dhe një spektakël jete që tashmë është traditë në vendin ku përpjekjet për respektimin e të drejtave dhe të dinjitetit njerëzor janë të pashtershme dhe qëllim në vetvete.

Në orën 3 me orën tonë dhe në orën 21 amerikane, në “sheshbetejën” e ABC news futen në skenë një Donald Trump i ngrysur dhe i ngrirë në mimikë dhe një Kamala Harris që, me sytë që i shkëlqejnë, me buzëqeshjen (që e sulmojnë se është e tepërt në këto kohë) i  afrohet dhe i jep dorën.

Hapja ndaj tjetrit, ndaj të ndryshmit, fillon edhe kështu: Thjeshtë, me një buzëqeshje, me një pranim, me një shtrëngim duarsh pavarësisht se si je, kush je, nga vjen dhe pse e mendon totalisht kundër. Donald Trump, gjithashtu, përfaqëson në pozicionin e tij miliona njerëz që janë njësoj si ai, ashtu, të ngrysyr, të pasaktë, trillues, të ngrirë, të pasur… Ashtu si Kamala Harris, përfaqëson të kundërtën. Debati i mbrëmshëm presidencial nuk ishte gjë tjetër veçse një përballje e më të natyrshmit ligj tokësor, një Yin e Yang, një e bardhë me të zezë, një ditë me natë, një e vërtetë me të pavërtetë. Është një përballje e vjetër aq sa i vjetër është agimi i ndërgjegjes njerëzore mbi Tokë.

E megjithatë, askush nuk duhet të ndjehet i gjykuar apo i lënduar se ndjehet një Donald Trump dhe askush nuk duhet të ndjehet superior apo i autorizuar për admirim se është një Kamala Harris. Jeta mbi Tokë është e themeluar dhe mbahet me të kundërtat dhe këto të kundërta do t’i shohim përherë të luftojnë. Ndryshimin e bën qytetërimi dhe demokracia. Janë këto dy vlera të larta që Europa dhe SHBA-të sot mishërojnë, të cilat përmes ligjeve, rregullave dhe respektimit të tyre bëjnë që lufta e të kundërtave të mos jetë e përgjakshme dhe mizore si në të shkuarën dhe siç vazhdon të jetë ende sot në zona të nxehta të globit tonë.

Debati i mbrëmshëm amerikan, ishte edhe një leksion i vyer gazetarie, pasi tregoi për të disatën herë se moderatorët e debateve politike, ku ndeshen të kundërtat nuk mund të jenë thjeshtë një mikrofon i hapur për çdo gënjeshtër e gënjeshtar. Moderatorët-gazetarë ndërhyjnë për të dhënë fakte se ajo që po deklarohet në atë moment drejtpërdrejtë për telespektatorët, nuk është e vërtetë, pra nuk ka fakte, si në rastin kur Trump deklaroi se “emigrantët po hanë qentë dhe macet e amerikanëve”. Por edhe për këtë, ashtu si dhe për politikën, qytetërimi, demokracia, ligjet janë rregullatorët që si skulptorët më të mirë, na korrigjojnë, na përmirësojnë.