Investimet e Huaja Direkte përsëri rritje, arritën në 749 milionë euro për 6-mujorin e parë

Investimet e Huaja Direkte përsëri rritje, arritën në 749 milionë euro për 6-mujorin e parë

Investimet e Huaja Direkte shënuan vlera të reja rekord për tremujorin e dytë dhe të gjithë 6-mujorin e parë të vitit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e dytë 2024 vlera e investimeve të huaja direkte arriti në 395 milionë euro, në rritje me 3.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për të gjithë 6-mujorin e parë, vlera e përgjithshme e investimeve të huaja direkte arriti në 749 milionë euro, gjithashtu niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit.

Vlera e Investimeve të Huaja Direkte paraqitet në rritje me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e investimeve të huaja direkte edhe për tremujorin e dytë të vitit është mbështetur njëkohësisht nga shtimi i flukseve të reja dhe nga rritja e fitimeve të riinvestuara të investitorëve ekzistues. 52% e totalit të investimeve të huaja direkte ishin injektime të reja të kapitalit, ndërsa 47% ishin fitime të riinvestuara. Megjithatë, në të dhënat progresive të 6-mujorit fitimet e riinvestuara vazhdojnë të mbajnë peshën kryesore në strukturën e investimeve të huaja direkte. Për gjysmën e parë të këtij viti, vlera e fitimeve të riinvestuara nga ndërmarrjet e huaja arriti në 394 milionë euro, 5.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Fitimet e riinvestuara përbënin 53% të vlerës totale të investimeve të huaja direkte për 6-mujorin 2024. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë tremujorit të dytë 2024, flukset valutore hyrëse në formën e investimeve të huaja direkte ishin të përqendruara kryesisht në pasuri të paluajtshme, në masën 25%, sektorin e ndërmjetësimit financiar, në masën 14%, e hidrokarbureve, në masën 13%, e energjetikës, në masën 13%, si dhe komunikacionit, në masën 4%.

Të njëjtët sektorë kishin qenë dominues edhe në tremujorin e parë të vitit, me pasuri të paluajtshme, në masën 23%, sektorin e ndërmjetësimit financiar, në masën 21%, e hidrokarbureve, në masën 13%, e energjetikës, në masën 5%, si dhe komunikacionit, në masën 5%.

Rritja e numrit të turistëve të huaj në vitet e fundit duket se ka rritur paralelisht edhe interesin për të investuar në prona në Shqipëri, veçanërisht në zonat bregdetare. Sipas vlerësimeve nga Shoqata Shqiptare e Pasurive të Paluajtshme (NAREA), veçanërisht në zonat bregdetare të jugut të Shqipërisë blerësit e huaj ose jorezidentë janë dominues, me rreth 70% të transaksioneve të blerjes.

Rritja e fortë e çmimeve të pronave në vitet e fundit i ka bërë pasuritë e paluajtshme edhe një alternativë më tërheqëse për të investuar. Kjo e ka rritur numrin e blerësve që kanë blerë prona jo më për nevoja banimi apo shfrytëzimi familjar, por për qëllime investimi.

Një rol të rëndësishëm po luajnë investimet e vazhdueshme të ndërmarrjeve ekzistuese, sidomos në sektorin financiar dhe në atë të hidrokarbureve. Sektori financiar dhe veçanërisht ai bankar e kanë rritur kontributin e tyre në vitet e fundit, edhe për shkak të rritjes graduale të kërkesave rregullatore për kapital ndaj bankave tregtare./ Monitor