Bashkia Shijak ka përfunduar projektin “Shërbime Sociale të Integruara për Gjithëpërfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara në Bashkinë Shijak”. Projekti i nisur dy vite më parë me donacione të “Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri” ka si synim lehtësimin e jetesës dhe gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi ndryshe.
Lajmin e ka bërë të ditur kreu i Bashkisë Shijak, z. Elton Arbana, ku ka gjetur rastin të falenderojë dhe aktorët bashkëpunues të këtij projekti.
Përfundoi me sukses projekti “Shërbime Sociale të Integruara për Gjithëpërfshirjen e fëmijëve dhe të rinjve me aftësi të kufizuara në Bashkinë Shijak”
Jam falenderues që bashkia Shijak ishte pjesë e këtij projekti shumë sensitiv për të gjithë ne. Kur bëhet fjalë për ndihmë, në çdo aspekt duhet të jemi bashkë për të bërë maksimumin tonë, për të pasur gjithmonë sytë dhe zemrën të kthyer te fëmijët dhe aq më tepër për fëmijët me aftësi ndryshe.
Gjatë 2 viteve të kohëzgjatjes së tij rezultatet janë shumë të mira dhe kanë ndikuar pozitivisht në zhvillimin e këtyre fëmijëve dhe aktorëve të tjerë të përfshirë në kujdesin ndaj tyre.
Një falenderim të veçantë kam për donatorin kryesor të këtij projekti, që ka mbështetur edhe herë të tjera bashkinë e Shijakut, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Shqipëri.
Dua të falenderoj dhe të përgëzoj për gjithë punën e bërë Shoqatën “Ndihmoni Jetën” dhe Fondacionin Down Syndrome Albania, ku me mbështetjen e BE-së në kuadër të Programit mbështetje për Përfshirjen Sociale në Shqipëri, mbyllën me sukses këtë projekt.
Të gjithë bashkë të kujdesemi në vazhdimësi për fëmijët me aftësi ndryshe, të lehtësojmë mesa mundemi jetën e tyre dhe sfidat që i duhet të kalojnë çdo ditë, të jemi gjithmonë aty për ta.