Xhensila Nako – Report Tv
“Nuk ka sfidë që mund të më ndalojë që të realizoj artin tim”.
Kështu e nis rrëfimin e tij në “Një nga ne” Mario Dine, 24 vjeçari që ka ‘përqafuar’ pa hezitim mundësitë e pafundme të jetës.
Frymëzohet nga e bukura, arti i mbush shpirtin dhe dëshiron që të lërë gjurmët e tij në kryeqytet.
“Do ta përkufizoja veten si artist në dimensione të ndryshme si arkitektura, pikturat murale, dizenjimi 3D i skenave të eventeve, në muzikë etj. Grafiti më mbush shpirtin dhe do ta bëj deri në fund të jetës sepse nuk ka gjë më të bukur sesa të kthesh artin tënd në profesion.
Kam pasur bashkëpunime brenda dhe jashtë vendit. Ndër to mund të përmend projektin me graffiti në një club në Itali. Në të ardhmen dua që të bëj murale për heroin tonë kombëtar, Skënderbeun.”, shprehet i riu nga Tirana.
Një i ri ambicioz dhe kreativ si Mario nuk do të mjaftohej me kaq. Ka ndërthurur më së miri talentet që ka. Njohuritë në programet 3D i kanë shërbyer për punën si skenograf ndërsa dy pasionet e reja që po investon kohë janë muzika dhe tatuazhet.
“Kam realizuar 30 projekte skenografie 3D të eventeve të ndryshme. Nuk i dihet asnjëherë se ku do të na çojë ky rrugëtim, thjesht i besoj destinacionit dhe mundohem të bëj më të mirën e mundshme”, thotë ndër të tjera.