Vdekja e papritur e Liam Payne, ish-anëtarit të grupit One Direction, ka tronditur fansat dhe mediat mbarë botën. Sipas raportimeve të fundit, Payne u nda nga jeta pasi u hodh nga kati i tretë i një hoteli luksoz në Buenos Aires, Argjentinë. Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e hershme të mëngjesit. Liam Payne vdiq nga traumat e shumta dhe gjakderdhja e brendshme dhe e jashtme e shkaktuar nga rënia, ka thënë zyra e prokurorit argjentinas. Një autopsi tregoi se lëndimet në kokë të yllit të popit ishin të mjaftueshme për të shkaktuar vdekjen e tij.
Në hetimin e kryer, duke përfshirë intervistën e pesë dëshmitarëve në një përpjekje për të rindërtuar orët e fundit të muzikantit 31-vjeçar, tregoi se ai ishte vetëm në kohën e rënies. Nga dhoma e hotelit të Payne u sekuestruan substanca që tregonin konsumimin e alkoolit dhe drogës.
Kolegët e tij nga grupi One Direction kanë reaguar menjëherë pas lajmit, duke ndarë mesazhe ngushëllimi dhe homazhe për mikun e tyre. Harry Styles, Niall Horan dhe Louis Tomlinson kanë shprehur trishtim të thellë në rrjetet sociale, ndërsa Simon Cowell, njeriu që e prezantoi Payne me botën e showbizit, ka përshkruar humbjen e tij si një tragjedi të papritur dhe të dhimbshme.
Reagimi i fansave ka qenë i menjëhershëm dhe i fuqishëm. Homazhe dhe mesazhe ngushëllimi janë ndarë në rrjetet sociale, ku shumë prej tyre kanë kujtuar periudhën kur Payne ishte pjesë e One Direction dhe ndikimin e tij në industrinë e muzikës. Hashtag-u #RIPLIAMPAYNE ka marrë miliona komente nga adhurues të grupit, të cilët shprehin dashurinë dhe respektin e tyre për këngëtarin.
Payne u bë i njohur në moshë të re përmes “The X Factor”, ku së bashku me pjesëtarët e tjerë të One Direction, u transformua në një ikonë të muzikës pop. Grupi bëri histori me hitet e tyre, duke dominuar listat muzikore globale dhe duke fituar zemrat e miliona fansave në të gjithë botën. Megjithatë, pas shpërbërjes së grupit, Payne përjetoi vështirësi të shumta personale. Ai luftoi me probleme shëndetësore dhe presionin e famës, duke përjetuar periudha të depresionit dhe varësisë nga alkooli. Vetëm disa muaj më parë, Payne kishte përfunduar një trajtim të ri për të përmirësuar shëndetin e tij mendor.