Nga Alba Malltezi
“Plaka Hanko i mbuloi të gjithë me duart e saj të thara dhe u nis për të ikur.
– Ç’është ky gjak që derdhet? Na thuaj një fjalë, nënë Hanko? – tha një grua përmes dënesës.
Plaka rrotulloi kryet, por, siç duket, e humbi drejtimin nga i erdhi zëri.
– Botës i ndërrohet gjaku, – tha ajo, pa vështruar njeri. – Njeriut i ndërrohet gjaku çdo katër-pesë vjet, botës çdo katër-pesëqind vjet. Këto janë dimret e gjakut.
Pas këtyre fjalëve, ajo u nis drejt shtëpisë së saj.
Ishte njëqind e tridhjetë e dy vjeçe…”
Ndoshta shkrimtarë si Ismail Kadare mund t’i vijnë Shqipërisë një herë në 100 vjet, ndërsa vetë shkrimtari na ka sjellë te “Kronikë në Gurë” “plakat e jetës”, siç ishte dhe Plaka Hanko. “Këto ishin plaka shumë të vjetra, që nuk çuditeshin nga asgjë dhe nuk kishin frikë nga asgjë. Ato prej kohësh nuk dilnin nga shtëpitë, sepse bota u dukej e mërzitshme, ngaqë për to, të gjitha ngjarjet, duke përfshirë këtu dhe ngjarjet e mëdha, siç ishin përmbysjet dhe luftërat, nuk ishin gjë tjetër veçse një përsëritje. Ato kishin qenë plaka në kohë e mbretërisë dhe kishin qenë plaka dhe para mbretërisë, në kohën e republikës. Ato kishin qenë plaka dhe në Luftën e Parë Botërore, madje, edhe përpara saj, në fillim të shekullit…”
A po ndodh vërtetë në Shqipëri ndërrimi i “gjakut”, ndërrimi i elitave? Në artin më të kulluar, në tradita, mes njerëzve të thjeshtë, mes “plakave të jetës” mund të marrim përgjigjet më të mira. Në të vërtetë, të vërtetën mund ta marrim vetëm mes më të mirëve dhe mes më të drejtëve mes nesh, që siç thotë ndokush, ekzistojnë, janë, por ndodh që mediat nuk i shohin, ose i shohin me vështirësi. Por më të mirët, janë dhe ata bëjnë ndryshimin.