Bienalja e Artit Bashkëkohor vazhdon edicionin e parë në qytetin historik të Durrësit, për ta vendosur Shqipërinë në hartën botërore kushtuar artit bashkëkohor dhe për të promovuar nëpërmjet saj turizmin dhe trashëgiminë kulturore.
Me temën “Inteligjenca Artificiale: e ardhmja Hibride”, bienalja ka bërë bashkë 17 pavijone kombëtare dhe marrin pjesë me punët e tyre 40 artistë nga vendi dhe bota, të cilat janë shpalosur në hapësirat publike dhe historike të qytetit të Durrësit.
Me themelues dhe kurator Oltsen Gripshin, mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Bienalja vazhdon deri më datë 25 Tetor, ku do të finalizohet me çmimin e madh për pavijonin më të mirë kombëtar.
Oltsen GRIPSHI është artist, eseist, estete, kurator ekspozitash, historian dhe kritik arti. Pasi studioi në liceun artistik “Jan Kukuzeli” të Durrësit, ai vazhdoi studimet e larta universitare dhe pasuniversitare për pikturë dhe teori arti jasht Shqipërisë.
Në 2006 ai diplomohet për pikturë kavaleti në Akademinë e Arteve të Bukura “G. B. Cignaroli” të Veronës, Itali.
2009 mbron titullin Master Profesional (Post Lauream) në “Estetikë dhe kritikë arti për pedagogji të leximit të ikonave”, pranë Fakultetit të Shkencave të Formimit në Universitetin Shtetëror të Padovës, Itali.
2012 mbron titullin Master Shkencor i nivelit të dytë (Laurea Doctus) në “Arte pamore dhe disiplinat e spektaklit”, pranë Akademisë së Arteve të Bukura “G. B. Cignaroli” të Veronës, Itali.
2017 mbron titullin Doktor i Shkencave (Philosophiae Doctor) në “Historinë e artit shqiptar”, në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimeve për Artin, Akademia e Studimeve Albanologjike (sot Akademia e Shkencave e Shqipërisë), Tiranë, Shqipëri.
Përpos aktivitetit shumë të pasur si artist i artit bashkëkohor me ekspozita vetjake në Galerinë Kombëtare të Arteve (2016), Ministrinë e Kulturës (2021), MuZEH Lab (2021), Muzeun Kombëtare të Përgjimeve të Sigurimit të Shtetit “Shtëpia me Gjethe” (2022) dhe përfaqësimin e Shqipërisë në shumë ekspozita ndërkombëtare. Ai është gjithashtu një zë i rëndësishëm në studimet albanologjike, duke patur një përvojë të gjatë në kërkimin shkencor në lëmin e historisë së artit pamor shqiptar, trashëgimisë kulturore, muzeologjisë dhe shkencës së estetikës, ku dhe është vlerësuar në vitin 2022 me çmimin “Best Paper Award 2021” për studimin më të mirë të vitit, publikuar në revistën shkencore “UNICART” 2021, nga Scientific Committee of International Academic Research Center në Universitetin Shtetëror të Kalabrisë, Itali.
Ai është autori i disa monografive shkencore të piktorëve më të shquar shqiptar, i një mori studimesh dhe konferencash shkencore ndërkombëtare të botuara brenda dhe jasht Shqipërisë.
Në aspektin kuratorial ai është ndër figurat më të spikatura e të afirmuara në skenën e artit bashkëkohor shqiptar, duke kuruar ekspozita si: “Qamil Grezda grabitqari i bukurisë së natyrës”, në Galerinë Kombëtare e Arteve të Shqipërisë (2017), “Vox Baroque Albania”, Festivali Ndërkombëtar i Muzikës Baroke në Muzeun Kombëtar Etnografik në Berat, Rezidencën e Familjes Mbretërore në Tiranë dhe Muzeun Arkeologjik në Durrës (2019), “E Kuaja”, Edicioni i XVI-të i Ekspozitë Kombëtare “Salloni i Vjeshtës”, në Galerinë e Arteve Pamore Shkodër (2022), “Arti Bashkëkohor Shqipëri-Austri”, ”, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë (2023).
Veprat e Oltsen Gripshit janë pjesë e koleksioneve të Galerisë Kombëtare të Arteve të Shqipërisë, Imago Mundi Luciano Benetton Collection, Trevizo, Itali, Galerisë Kombëtare të Arteve të Bukura të Jordanisë, Galleria PH Neutro Fotografia-Fine Art, Verona, Itali, GAT – Galerisë së Arteve Tiranë, Haegeumgang Theme Museum, Geoje, Korea e Jugut, Fantapia M. Chang Kil-Hwan Art Museum, Gangneung, Korea e Jugut dhe Galerisë së Arteve Pamore Shkodër.
Pas përvojës disa vjeçare si padagog i jashtëm i Historisë së Artit Antiko-Mesjetar dhe Arkeologjisë në Universitetin Shtetëror “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, aktualisht ai është pedagog i ftuar i Interpretimit Semiotik të Artit Fëmijëror në Universitetin Shtetëror të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, si dhe njëkohësisht mbulon arsimin, artin, kulturën dhe turizmin në Prefekturën e Qarkut Durrës./DurresBinnale.org