Në episodin e parë të RevoCast, Aldo Mustafa dhe këngëtari Algert Sala u futën në rrëfime të sinqerta mbi disa momente të sikletshme dhe komike të jetës së artistit. Pyetja e drejtpërdrejtë e Aldos, “A ka ndonjë moment në të cilin ti mund të jesh fëlliqur pak fare?” e shtyu Algertin të ndante një histori të komike, plot me keqkuptime. “Më beso, kjo lloj drame ka patur pagjumësi dhe vuajtje,” tha Algerti, me nota humori.
Kur Aldo kërkoi më shumë detaje, Algerti pranoi se keqkuptimi kishte ndodhur gjatë një telefonate të rëndësishme që e kishte ngatërruar me një shaka shoqërore. Pa e kuptuar që përballë tij ishte një person shumë i rëndësishëm, Algerti reagoi me humor, por shpejt kuptoi gabimin e tij, duke shprehur keqardhjen që e përfshiu pas mbylljes së telefonatës.
“Një dëm karriere,” — e përshkroi ai me shaka. I pyetur nëse kishte patur kontakt që nga ajo kohë, ai tha se akoma jo, por pritet një takim së shpejti për të sqaruar ngjarjen.
INTERVISTA
Aldo Mustafa: A ka ndonjë moment në të cilin ti mund të jesh flliqur pak fare? Kemi ndonjë moment epik për të cilin ti do pendohesh gjithë jetën?
Algert Sala: Më beso që kjo lloj drame, nuk pa patur gjum, por ka patur pagjumësi dhe vuajtje.
Aldo Mustafa: Çfarë ke bërë që je futur në këtë lloj telashi?
Algert Sala: E di si thash ato momente? Si nuk hapet toka, unë të futem brenda edhe të vuloset ky muhabet.
Aldo Mustafa: Kaq e rëndë ishte?
Algert Sala: Tani e rëndë… ishte si një farë keqkuptimi, nuk është se unë e bëra kastile.
Aldo Mustafa: Keqkuptim i tipit?
Algert Sala: I një telefonate shumë të rëndësishme. Mendova se ishte një shaka shoqërore, por në fakt ishte një person shumë i rëndësishëm.
Aldo Mustafa: Çfarë i ndodhi këtij personi të rëndësishëm pas kësaj telefonate që bëri me ty?
Algert Sala: Sigurisht u ndje i ofenduar. U ndje keq dhe unë e kuptova që nuk ishte shaka në momentin që u mbyll telefonata!
Aldo Mustafa: Sa dëm i shkaktove vetes me këtë që sapo na njoftove?
Algert Sala: Një dëm karriere. U mundova ta sqaroja, por nuk mund të sqarohej, sepse pala tjetër ishte sigurisht me nerva. Thjesht nuk e kuptova që nuk kisha të bëja me personin, pasi një shaka të tillë e kisha hasur po atë ditë nga shoqëria dhe mendova se po vazhdonte loja, por jo! Ishte një tmerr!
Aldo Mustafa: Ai personi tani të ka falur?
Algert Sala: Nuk e di! Do ta takoj së shpejti…
Aldo Mustafa: Pra nuk e ke rënë në kontakt me këtë personin?
Algert Sala: Akoma! Nëse jam ndjerë keq ndonjëherë në jetën time, është ky moment!