Nga Ergys Kavaja
‘Nuk lulëzon pa Zot’, balada e dedikuar një personi zemre që nuk jeton më, e kënduar nga Ana Bushgjokaj ka rrëmbyer trofeun e festivalit ‘Luleborë’ në edicionin e 9-të të tij.
Është hera e dytë që artistja shkodrane fiton çmimin e parë, pas atij të vitit 2022 me këngën ‘Zemra kërkon Zemrën’.
“Një person shumë i dashtun për familjen tonë dhe humbja është shumë e rëndë. Faktikisht këtë dhimbje e ktheva në një kangë në këtë mënyrë dhe jam falënderuese që e shpalla këtu. Nuk e prisja që mund të ndodhte për herë të dytë”, u shpreh pas fitores Ana Bushgjokaj.
Publiku shkodran përjetoi emocione të forta nga 15 këngët që u interpretuan në teatrin “Migjeni” në Shkodër, i cili ishte i mbushur në të gjithë kapacitetin e tij.
Çmimin e dytë e mori Ermal Demiri nga Kosova me këngën “Me mujt” ndërsa çmimin e tretë, Ea Zoga me këngën “Të ngjashëm”.
Artan Bakija nga Gjakova u vlerësua nga juria e festivalit me Çmimin “Simon Gjoni”.
Festivali “Luleborë” tregoi edhe në këtë edicion se mbetet një vlerë e shtuar në traditën muzikore të Shkodrës.
“Rezultati ka qenë i mirë, po ne nuk kënaqemi, dojna me ba gjana ma të mira. Normalisht kërkojnë staf më shumë, financim më të madh shpresojmë që ta kemi sepse Shkodra e meriton. Ne promovojmë kangën e re, kangën e sotme, edhe me influenca të vendit tonë, por edhe me standarde të reja për emancipimin e muzikës. Nga festivali po dalin kangë të mira, çështja është se sa publicitet i bëhet festivalit, dhe këtë duhet ta rregullojmë, për ti reklamuar”, u shpreh Markelian Kapidani Drejtor artistik i festivalit.
“Pash artist shumë të mirë, të rijnë të talentuar. Të gjitha këngët do ti mbeten Shkodrës dhe fondit të muzikës shqiptare sepse janë muzikë shumë e bukur”, u shpreh Sokol Marsi, Anëtar i jurisë së festivalit.
Festivali i Këngës, “Luleborë” është kthyer tashmë në traditë në Shkodër, si mundësi për promovimin e krijimeve artistike të të rinjve dhe jo vetëm, në drejtim të një kauze ‘Shkodra Djepi i kulturës”.