Filmi dokumentar ‘Zojë’ fiton çmimin për Kinematografinë më të Mirë në Festivalin Ndërkombëtar në Qipro

Filmi dokumentar ‘Zojë’ fiton çmimin për Kinematografinë më të Mirë në Festivalin Ndërkombëtar në Qipro

Filmi dokumentar “Zojë” me skenariste, studiuesen dhe gazetaren Luljeta Progni dhe regjisor Pandeli Çeço fitoi çmimin për Kinematografinë më të Mirë në edicionin VII të AEI Film Festival (Festivali Ndërkombëtar i Dokumentarëve Arkeologjikë, Etnografikë dhe Historikë në Qipro), i zhvilluar në datat 26 tetor – 3 nëntor 2024 në Nikosia, Qipro.

Filmi u vlerësua nga juria me motivacionin: Kinematografia e filmit “Zojë” krijon një atmosferë ideale, thelbësore për zhvillimin e filmit, duke sjellë gjithashtu një ndikim emocional përmes lëvizjes dhe ritmit të saj. Imazhet e fuqishme tejkalojnë ekranin, duke ndriçuar thelbin shpirtëror të natyrës njerëzore.

Filmi “Zojë” është përzgjedhur gjithashtu si konkurues dhe do të shfaqet në edicionin XIV në ASTI International Film Festival 2024, që do të mbahet nga 27 nëntori deri më 1 dhjetor 2024, në Teatrin Alfieri, Asti, Itali, ku jemi ftuar për të qenë të pranishëm.

Filmi është historia e nënës së vetë gazetares Prognin, Zojë Progni e rrëfyer në vetë të parë. Një rrëfim për fatin e dhimbshëm të gruas në diktaturë, por aq edhe universale mbi fatet e shumë grave, nënave dhe vajzave, që janë përballur me dinjitet dhe i kanë sfiduar me forcë e vetëmohim, regjimet totalitare, në të gjitha kohërat.