Alba Malltezi: Pesha e padurueshme e diktaturave! Kur të zhveshurit ishim ne!

Alba Malltezi: Pesha e padurueshme e diktaturave! Kur të zhveshurit ishim ne!

Nga Alba Malltezi 

Të zhvishesh si Ahou Daryaei në oborrin e Universitetit islamik të Azad, në protestë të një kritike për vendosjen apo jo mirë të shamisë së kokës në Teheran, duhet të jesh “e çmendur” dhe sidomos të konsiderohesh “e çmendur” nga të tjerët. Të çmendurit kanë forcën të ndryshojnë, të rebelohen, të revoltohen në diktatura që çmendurinë e kanë bazën e mbijetesës së tyre të gjatë.

Kush më mirë se ne shqiptarët mund ta kuptojë presionin e një diktature, të një shoqërie të ngurtë dhe privuese, sidomos për vajzat dhe gratë. Ishim ne të çmendurit në fillim të viteve ’90, të dalë nga një “tenxhere e madhe presioni”; por më parë se të gjithë ne, ishte një familje e vetme, e konsideruar edhe ajo “e çmendur” sepse bëri atë që nuk mund t’i shkonte në mendje e jo më të bëhej: Gjashtë vëllezërit dhe motrat Popa, që në 12 dhjetor 1985 u futën në Ambasadën Italiane për të kërkuar azil politik dhe qëndruan aty për 5 vite të tëra deri në transferimin e tyre në Itali në vitin 1990.

Pas familjes Popa, një popull i tërë ndërmorri emigrimin e tij biblik me ç’të gjente e si të mundtte, nga kufij tokësorë dhe detarë. Ajo ikje për ne ishte një çlirim nga zhinxhirët e padukshëm, por më të rëndit që një popull mund të kishte provuar ndonjëherë: 40 vite pa të drejta, pa liri. Zinxhirët tanë ishin si shamia në kokën e Ahou, studentes së frengjishtes. 

Kur shohim vajza, të rinj si Ahou Daryaei, duhet të rikujtojmë si ishim ne. Duhet të çojmë nëpër mendje peshën e padurueshme që një diktaturë, diktatorë, shoqëri të ngurta e qeveri mbytëse kanë mbi dinjitetin njerëzor. Jemi qënie me një trup fizik, por me një shpirt që arrin në galaktikat më të largëta, në honet më të thella e në majat më të paarritëshme. Nuk jemi perfektë, por liria për të ushtruar atë paperfektësi që kemi dhe jemi, është vlera më njerëzore që meritojmë. Që meritojnë të gjithë.