“Krimi është vetëm i imi”, vjen në Durrës

“Krimi është vetëm i imi”, vjen në Durrës

Pas premierës në teatrin “Migjeni”, si dhe pritjes fantastike në Tiranë, komedia “Krimi është vetëm i imi” erdhi për herë të parë në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës mbrëmjen e së mërkurës.

Vepra e shkruar në 1934-ën, por aktuale ende edhe sot, do të vihet në skenë nga Linda Jarani, Olta Daku, Neritan Liçaj, Romir Zalla, Rudina Dembacaj, Jozef Shiroka, Pjerin Vlashi, Merita Smaja, Fritz Selmani, Nikolin Ferketa dhe me pjesëmarrjen e veçantë të Besnik Çinarit.

Regjisorja Driada Dervishi e përshkroi shfaqjen si një komedi franceze e përshtatur për shoqërinë tonë. Ajo theksoi se veprimi përfshin një sërë temash që adresojnë problematikat aktuale të shoqërisë, duke përfshirë edhe çështje universale.

“Një komedi franceze e përshtatur më së miri për shoqërinë tonë. Përfshin një sërë temash që i flasin shoqërisë dhe problematikave të kohës, por trajton edhe problematika universale”, u shpreh ajo.

Aktori Neritan Liçaj theksoi se ekipi ka punuar në një periudhë të ngjeshur, duke e përshkruar procesin si intensiv, por shumë interesant. Ai u shpreh se shfaqja është pritur shumë mirë në qytetin e Shkodrës dhe ka sjellë sukses, duke bërë që në Durrës të mos mbeteshin më vende të lira pasi shfaqja u rezervua menjëherë për dy netë.

Shfaqja premton të jetë një ngjarje kulturore e rëndësishme për publikun dhe një mundësi që të reflektojë mbi tema të ndryshme përmes artit të skenës.